Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji ka bërë një reagim në lidhje me tragjedinë e ndodhur të dielën në Durrës, kur një shofer i dehur përplasi për vdekje dy fëmijë dhe plagosi rëndë një tjetër.
Në një postim në rrjete sociale, ai shpreh ngushëllime për jetët e humbura, ndërsa drejton gishtin nga shteti për ngjarje të tilla. Sipas tij, të fortët po e sfidojnë çdo ditë ligjin përpara institucioneve duke rrezikuar jetët e njerëzve, ndërsa shton se është i paaftë dhe paguximshëm që t’i ndalojë.
Reagimi i plote:
2 jetë fëmijësh të humbura. Një tjetër në luftë për jetën.
Një tragjedi që sot ka thyer zemrat e familjeve dhe ka ulur kokën e gjithë Shqipërisë.
Nuk ka fjalë që e përshkruajnë këtë dhimbje.
Por ka përgjegjësi dhe ato duhen thënë.
Kjo tragjedi nuk është rastësi.
Është pasojë e një shoqërie që çdo ditë bëhet më e mpirë përballë padrejtësisë dhe më e pafuqishme për të reaguar.
E shohim çdo ditë:
Në autostrada, në rrugët e qyteteve, në vijat e bardha, në pedonale!
“Të fortët” sfidojnë ligjin nga mëngjesi në darkë, para syve të institucioneve, duke rrezikuar jetën e njerëzve, fëmijëve, grave shtatzëna, të moshuarve, familjeve.
Heshtja ndaj tyre është bashkëfajësi.
Tolerimi është degradim.
Është turp.
Sot, gishti shkon drejt një sistemi të dështuar përgjegjësish.
Drejt një shteti të paaftë dhe të paguximshëm për të ndalur të fortët sepse i mbron dhe i ushqen ata.
Një shtet që sillet i fortë me të dobëtit
dhe i përkulur përballë të fortëve.
Një shtet që ndëshkon qytetarin e zakonshëm,
por mbyll sytë kur ligji shkelet nga ata që ndihen mbi të
ose që vlejnë për një grusht votash.
Kjo tragjedi është pasojë e një padrejtësie që është kthyer në kulturë.
Dhe ndërkohë, disa kërkojnë show:
“Të ashpërsojmë Kodin Penal”, thonë.
Jo vetem kaq, eshte e pamjaftueshme!
Na duhet diçka më themelore.
Na duhet zbatim i ligjit, jo propagandë.
Na duhet barazi para ligjit, jo privilegj për të fortët.
Na duhet ndëshkim real për ata që drejtojnë të dehur dhe përsërisin krimin.
Na duhet përgjegjësi për ata që projektojnë dhe ndërtojnë rrugë e trotuare të pasigurta.
Na duhen standarde në rrugë, në qytet, në çdo hapësirë publike.
Na duhet parandalim.
Sepse ndëshkimi pas tragjedisë nuk kthen jetët e humbura.
I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve që sot jetojnë dhimbjen më të madhe.
Dhe lutem për shërimin e fëmijës që po lufton për jetën.





