DURRËS, 6 nëntor 2014– Partizani mbrojtja më e mirë në Europë. Skuadra e kuqe aktualisht, në vendin e parë në Superiore, pas 11 javësh të luajtura, është njëkohësisht dhe mbrojtja më e mirë në kontinent, sa i përket mesatares së golave të pësuar për ndeshje. Siç shihet dhe nga klasifikimi, ekipi i drejtuar nga Shpëtim Duro mban vendin e parë, me një mesatare pësimi prej vetëm 0.18 gola të pësuar për takim. Formacioni kryeqytetas nuk pëson gol prej 9 ndeshjesh, ose në total prej 820 minutash. Në vendin e dytë në klasifikimin europian qëndron ekipi qipriot i Apoel Nikozisë, që ka një mesatare pësimi prej 0.25 gola për ndeshje, po aq sa dhe formacioni grek i Kallonit, ndërkohë që në vendin e katërt renditen kryesuesit e Bundesligës së Bajernit të Mynihut, të ndjekur nga portugezët e Portos, me një mesatare respektive prej 0.3 dhe 0.33 gola të pësuar për ndeshje, për më tepër me më pak ndeshje të luajtura sesa Partizani. Kurse më poshtë në këtë klasifikim gjenden dhe Barcelona e Juventusi.





