Këshilli Shqiptar i Medias reagon me shqetësim të madh për shkeljet e rënda të etikës në raportimin e ngjarjes së Durrësit ku humbën jetën 2 fëmijë.
Kjo ngjarje e rëndë paraqet interes të lartë publik, dhe pikërisht për këtë, standartet etike duhen mbajtur sa më lart.
Në të gjitha kodet e etikës në botë, edhe në Kodin e Etikës së Gazetarit Shqiptar, një nga standartet etike të gjithëpranuara është që “vdekja dhe makabriteti nuk duhet sensacionalizuar”. Kjo do të thotë, që nuk ka asnjë arsye për të shfaqur pamje apo video të momentit të vdekjes së dikujt. Kjo bëhet më e rëndë kur bëhet fjalë për fëmijë. Përveçse dëmit të madh emocional që i shkaktohet familjes, terrori që shkakton tek shikuesit e lexuesit transmetimi i pamjeve të një vdekjeje brutale është i papranueshëm dhe i patolerueshëm.
Media, nuk mund e nuk duhet të zëvendësojë e as të imitojë filmat horror.
Sigurisht, opinioni publik dëshiron të dijë si ka ndodhur ngjarja. Raportimi i dinamikës së aksidentit është pjesë e detyrës së raportimit. Sot, me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, me kosto shumë të ulëta mund të rikrijohet në mënyrë të ilustruar dinamika e këtij incidenti pa qenë nevoja të shkelet mbi dhimbjen e familjarëve dhe pa krijuar terror.
Një shkelje tjetër ka të bëjë me identitetin e viktimave. Sipas kodeve të etikës, Media, nuk duhet të nxjerrë identitetin e asnjë prej fëmijëve të përfshirë në ngjarje, dhe asnjë detaji tjetër që mund t’i identifikojë kush janë. Argumenti që “dikush tjetër e bëri më parë” uk është justifikim. Mediat etike duhet të krijojnë standarte dhe për të tjerat.
Shkeljet etike në raportimin e ngjarjes së Durrësit janë të rënda, dhe për fat të keq, pasoja më afatgjatë e këtyre shkeljeve është humbja e besimit te media.





