DURRËS, 5 nëntor 2014– Huliganizmi është rikthyer dhe kërcënon futbollin. Një alarm që e konfirmojnë ngjarjet e fundit. Pas akteve të papranueshme të dhunës në ndeshjen eleminatore për Euro 2016 Serbi-Shqipëri, ku futja e huliganëve në fushë dhe goditjet e tyre ndaj futbollistëve shqiptarë sollën ndërprerjen e ndeshjes, ç’ka u pasua me një vendim të paprecedent të UEFA-s që nuk ju përgjigj dhunës së shfaqur në stadiumin Partizani të Beogradit, incidenti më i freskët ndodhi në Izrael, ku derbi Hapoelit dhe Maccabit të Tel Avivit, u ndërpre për shkak të pushtimit të fushës. Ndeshja u ndërpre kur rezultati ishte 1-1, në minutën e 34-t të pjesës së parë dhe motivet kishin të bënin edhe me një njohje të vjetër të futbollit europian, Eran Zahavin.
Policia arrestoi 10 persona ndërkohë që menaxheri i përgjithshëm i Hapoelit, Eyal Berkovic deklaroi, "është një ditë e zezë për futbollin izraelit, por prej kohësh ndihet një klimë e tillë. Futbolli po kthehet në një lloj lufte". Huliganët kanë zbritur në fushë, është një këmbanë alarmi që me sa duket nuk dëgjohet vetëm nga UEFA, e cila me vendimin e saj për Serbi-Shqipëri hapi dyert e stadiumeve për "Ivanët".





