Aleksandër Cangonja, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak Durrës, duke marrë shkas nga ngjarja tragjike e së dielës në Durrës, ku dy të mitur humbën jetën dhe një tjetër po lufton në spital, është ndalur në një reflektim serioz: qyteti ynë pa kënde lojërash, një rrezik i përditshëm për fëmijët: ku i kalojnë fëmijët tanë orët e lira, dhe sa të sigurt janë ata?
Cangonja thekson se për një qytet si Durrësi, këndet e lojërave janë të pamjaftueshme.
“Nuk është thjesht çështje urbanistike. Është çështje sigurie, shëndeti dhe e ardhmjeje. Një qytet që nuk krijon hapësira për fëmijët, rrezikon të humbasë shumë më tepër sesa disa metra katrorë tokë”, shkruan ai.
POSTIMI I PLOTË:
Durrësi pa kënde lojërash: një rrezik i përditshëm për fëmijët!
Ngjarja tragjike e sotme në Durrës, ku dy të mitur humbën jetën dhe një tjetër po lufton në spital, tronditi të gjithë qytetin. Por përtej dhimbjes dhe reagimit të momentit, duhet të ndalemi dhe të reflektojmë seriozisht: ku i kalojnë fëmijët tanë orët e lira, dhe sa të sigurt janë ata?
Dikur, në çdo bllok pallatesh kishte hapësira ku fëmijët luanin të mbrojtur. Ishin vende të thjeshta, por funksionale dhe mbi të gjitha të sigurta. Sot, shumë prej tyre janë zhdukur. Një pjesë u zunë dhe u legalizuan, të tjera iu kthyen pronarëve, ndërsa zhvillimi urban shpesh i ka lënë pas dore hapësirat publike.
Ndërkohë, qyteti është zgjeruar dhe popullsia është rritur, por hapësirat për fëmijët janë ngushtuar. Shumë prej tyre janë mbyllur brenda, të lidhur me telefonat dhe videolojërat. Ata pak që dalin jashtë, përballen me rreziqe që nuk duhet të ekzistonin kurrë.
Sot, për një qytet me mbi 100 mijë banorë, Durrësi ofron vetëm disa kënde të mirëfillta lojërash, si ato te shëtitorja “Taulantia” dhe “Vala Park”. Janë të pamjaftueshme, si në numër ashtu edhe në shpërndarje.
Ekzistojnë edhe disa lulishte, si ajo pranë Muzeut të Dëshmorëve dhe “1 Maji”, por ato nuk shfrytëzohen sa duhet dhe nuk janë përshtatur plotësisht për nevojat e fëmijëve.
Kjo nuk është thjesht çështje urbanistike. Është çështje sigurie, shëndeti dhe e ardhmjeje. Një qytet që nuk krijon hapësira për fëmijët, rrezikon të humbasë shumë më tepër sesa disa metra katrorë tokë.
Është koha për të vepruar.






