DURRËS, 5 nëntor 2014– Kur kanë kaluar disa javë nga ngjarjet e dhunshme të Beogradit në sfidën Serbi-Shqipëri, policia serbe ka vendosur të lëvizë për të çuar përpara drejtësisë shkaktarët e incidenteve në fushën e lojës. Sipas të përditshmes Blic, policia ka shpallur në kërkim ultrasin Ivan Bogdanov me akuzën e hyrjes në fushën e blertë gjatë sfidës së 14 Tetorit. Forcat e rendit kanë kryer një aksion në shtëpinë e huliganit 34-vjeçar, por nuk kanë arritur ta prangosin. Sipas prokurorisë, ndaj Bogdanov rëndon akuza e nxitjes së dhunës në eventin sportiv. Ivan Bogdanov është pjesë e grupit të tifozëve të Yllit të Kuq, “Ultras Boys”. Pak muaj më parë ai u lirua nga burgu në Itali për shkak të trazirave të shkaktuara në sfidën e vitit 2010 mes Italisë dhe Serbisë. Ai u dënua me 3 vjet heqje lirie dhe 5 vjet ndalim hyrje në çdo vend të Bashkimit Evropian. Bogdanov është një protagonist mjaft i njohur që prej shumë vitesh në Serbi pasi në vitin 2006 nxiti trazira në ndeshjen derbi të basketbollit. Edhe pse fillimisht u dënua me 2 vjet heqje lirie, por apeli ia reduktoi dënimin në 1 muaj. Urdhër-arresti për Bogdanov është i pari i lëshuar nga prokuroria e Serbisë pas ngjarjeve të 14 tetorit në stadiumin e Partizanit të Beogradit që u pushtua edhe nga dhjetra tifozë të tjerë vendas, ndaj të cilëve nuk është marrë ende asnjë masë.





