DURRËS, 4 nëntor 2014 –  Universitetit publik “Aleksandër Moisiu” (UAMD) nuk po i ndahen polemikat, kontradiktat dhe akuzat, teksa sërish në shënjestër është rektori prof. dr. Mithat Mema.

Mësohet se dekani i Fakultetit të Shkencave Juridike Politike prof. dr. Elmas Leci ka kërkuar publikisht (ende jo me shkrim) dorëheqjen e rektorit prof. dr. Mithat Mema, duke e akuzuar për nepotizëm në rekrutimin e personelit akademik me të afërm, manipulim zgjedhjesh në universitet, shkarkime të pamotivuara, korrupsion etj.

Ndërkohë rektori Mema ka dërguar auditin në fakultetin e Shkencave Juridike Politike, që drejton dekani Leci.

Bie në sy fakti që sherri bëhet midis dy anëtarëve të së njëjtës “familjeje” politike.

Pritet ndërhyrja e degës së PD-së dhe e deputetëve blu për mbylljen e kësaj ngjarjeje të pakëndshme për opozitën në nënseksionin e arsimit të lartë dhe rivendosjen e harmonisë partiake para interesave vetjakë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/