DURRËS, 4 nëntor 2014 –Komunikata e shtypit e Këshillit të Ministrave e 3 nëntorit 2014, krahas kryeministrit z. Edi Rama, ka cituar dhe një paragraf nga fjala e kryebashkiakut të Durrësit z. Vangjush Dako në forumin e parë ndërkombëtar në Shqipëri për qytetin inteligjent.

Madje, kryetari i PS dhe shefi i qeverisë e ka përfshirë qytetarin bregdetar nr. 1, njëkohësisht kryetar de facto i degës “vjollcë”, me portret në albumin e Forumit, që ka postuar, më 4 nëntor 2014, në faqen e tij në rrjetin social Face Book, gjë e rrallë për “huqet” e Ramës, sidomos kur bëhet fjalë për krerë të njësive të qeverisjes vendore.

Albumi shoqërohet më këtë tekst:

“Dje [3 nëntor 2014 – shënim i “Dyrrah”-ut] në Forumin e parë Ndërkombëtar në Shqipëri për “Qytetin Inteligjent”, duke shkëmbyer ide, dije, eksperienca e praktikat më të mira ndërkombëtare, të cilat mundësojnë ndërtimin e qyteteve inteligjente për një zhvillim të qëndrueshëm. Praktikat rrënuese të ndjekura në të shkuarën në administrimin e qyteteve dhe hapësirave të përbashkëta publike kanë marrë fund. Transformimi i qyteteve që ka nisur këtë vit, do të intensifikohet më shumë vitin e ardhshëm dhe vitet që vijnë si një rrugë e sigurt për t’i dhënë qëndrueshmëri dhe kohezion zhvillimit e Rilindjes urbane”.  

Me sa duket, ky parapëlqim dhe marketing ka të bëjë me paracaktim të z. Dako për kandidim për herë të tretë, tani në superbashkinë që krijohet me ndarjen e re territoriale: Durrës + Rrashbull + Katundi i Ri + Sukth  + Ishëm.

Jo vetëm kaq, edhe në postime të tjera nga vizitat në Durrës, por edhe jashtë shtetit, z. Dako ka zënë vend qendror në marketingun politik të z. Rama.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/