DURRËS, 20 tetor 2014 – Për sakrificën e treguar në mbrojtjen e simboleve kombëtare, për atdhedashurinë e pashoqe në ruajtjen e vlerave identitare kombëtare dhe për guximin e pashembullt në dëshmimin e patriotizmit, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka marrë vendim që të fillojë procedurat për nderimin e futbollistëve shqiptarë, Taulant Xhaka e Lorik Cana. “Futbollistët Xhaka e Cana janë krenaria e Kombit tonë. Ndonëse u gjendën në një ambient tejet armiqësor, ku turmat kërcënonin shqiptarët me heqje të kokave dhe ku ishin të rrezikuar seriozisht, ata për asnjë moment nuk u hamendën për të mbrojtur simbolet dhe figurat më të shquara të kombit që i përkasin. Sjellja e këtillë e tyre është për admirim, prandaj edhe vendosa që të filloj procedurat për dedikimin e titullit ‘Qytetar Nderi i Mitrovicës’, për Taulant Xhakën dhe Lorik Canën”, thotë kryetari Bahtiri. Kreu i Mitrovicës është thellë i bindur se qytetarët e Mitrovicës do ndjehen tepër krenarë që këta dy futbollistë të shkëlqyer, por para së gjithash patriotë të vërtetë, do të shpallen qytetarë nderi të Mitrovicës. Futbollistët Xhaka e Cana, do të njoftohen zyrtarisht për këtë nismë dhe në koordinim me ta, natyrisht pasi të përfundojnë të gjitha procedurat e parapara me ligj, do të caktohet dita kur në mënyrë solemne do t’u dorëzohet titulli.





