19 tetor 2014 – Pasojat e ndeshjes Serbi-Shqipëri nuk kanë asnjë ndikim te lojtarët e të dyja skuadrave në karrierën e tyre me klubet ku luajnë.
Shembulli më i mirë për këtë është skuadar e Lazios ku luajnë 3 shqiptarë dhe dy serbë, të cilët dhanë mesazhin e paqes nëpërmjet një iniciative të ndërmarrë pikërisht nga klubi italian. Por nuk është vetëm skuadra e Lazios ku serbët dhë shqiptarët bëjnë pjesë në të njëjtin klub sepse një situatë e ngjashme është edhe ajo e klubit të Anderlechtit. Aleksander Mitrovic nuk ka asnjë problem me trajnerin e tij, Besnik Hasi, madje këtë e konfirmon edhe vetë lojtari serb që u bë protagonist në një moment tensioni me Taulant Xhakën.
“Nuk pati asgjë të veçantë, unë u përshëndeta me trajnerin pas rikthimit në klub. Nuk kemi folur për atë që ndodhi dhe nuk pres që të kemi probleme në të ardhmen”, theksoi Mitrovic.
Në fund ai shtoi se marrëdhënia mes të dyve është normale dhe do t’i qëndrojnë larg kësaj teme e cila ka ngjallur një debat të gjerë por shkaktoi edhe një përplasje diplomatike mes Tiranës dhe Beogradit.





