Tiranë, 29 gusht 2014 –  Aktorin e mirënjohur Mirush Kabashin e sheh gjithmonë në lëvizje. Ikonë e kinemasë dhe teatrit të 30 vjetëve të fundit, ai ruan të gjithë gjallërinë dhe implusivitetin e një aktori në kulmin e karrierës artistike. Habitesh teksa mëson se përballë ke një aktor “të dalë në pension”. Megjithë këtë status “burokratik”, Mirush Kabashi vijon ta ketë të zënë axhendën artistike. Ashtu siç vijon të jetë i përfshirë në gjithçka që prek filmin dhe teatrin shqiptar. Në këtë intervistë pwr revistwn “Java”, ai thotë se arti dhe kultura shqiptare kanë nevojë urgjente për mbështetje dhe për ndryshimin e mentalitetit të klasës drejtuese 

Zoti Kabashi, ju jeni një ndër figurat e famshme të asaj qe mund të quhet plejada e brezit të mesëm të artistëve, ende në aktivitet të plote artistik. Ndërkohë, kanë ndërruar jetë një numer jo i vogël personalitetesh shumë të njohur të skenës dhe ekranit. Si e përjetoni këtë stafetë graduale brezash, në skenën e filmit dhe teatrit shqiptar?

Ju falenderoj për pyetjen. T’ju them të drejtën këtë stafetë brezash, siç e quani ju, e përjetoj me një farë trishtimi. Është e vërtetë që janë larguar nga kjo jetë një pjesë e korifenjve të artit skenik shqiptar, personalitete që hodhën bazat e këtij arti të interpretimit skenik. Janë figura emblematike si Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi e shumë të tjerë, që kërkoj ndjesë që s’po ua përmend emrat. Kemi fatin që ende një pjesë e atij brezi është në aktivitet, si për shembull e madhja Tinka Kurti. Jam i trishtuar edhe disa për disa kolegë të nderuar, më pranë brezit tim, që kanë ikur para kohe dhe në kulmin e karrierës artistike, duke lënë një boshllëk të pazëvendësueshëm. E kam fjalën për Agim Qirjaqin, Roland Trebickën dhe Fatos Selën. Më besoni që kanë qenë humbje tejet të rënda, pasi kanë qenë figura të jashtëzakonshme të skenës dhe ekranit, me individualitete shumë të spikatura. Këta aktorë më të rinj se të parët, kanë meritën e madhe të hedhjes së hapave të rinj në fushën e aktrimit. 

Tashmë duhet të flasim edhe për një gjeneratë tjetër që po vjen, ajo pas vitit 1990. Në fakt këtu unë do të ndaloja, do të bëja një pauzë dhe një koment. Nëse largimi i brezave të vjetër të artistëve është në fund të fundit një normalitet i jetës, ajo që ka ndodhur me brezin e ri të aktorëve pas vitit 1990, është një anormalitet. Më e drejtë do të ishte të flitej për absurd në fakt, sesa për anormalitet. Ky brez i sotëm nuk e ka komoditetin që kishim ne. Për hir të së vërtetës duhet thënë që në periudhën para vitit 1990, megjithë problematikën që ka patur ajo kohë, investohej për artin. Ka pasur një “pishinë”, nëse mund ta quaj kështu figurativisht, ku aktorët mund të gjenin provonin, të gjenin vetveten, të aplikonin aftësitë e tyre dhe mbi bazën e punës, të ecnin përpara.

Tani kjo nuk ndodh më. Teatrot e rretheve janë në asfiksi të plotë, sepse vetë teatri ka kaluar në varësi të bashkive. Për fat të keq, nuk ka asnjë klauzolë të shkruar, që t’i detyrojë krerët e pushteteve lokale, që të alokojnë një përqindje të caktuar për artet dhe kulturën. Ndërkohë që situata aktuale është krejtësisht subjektiviste. Kjo gjë tregon fatkeqësisht mungesën totale të vizionit dhe të vullnetit, të klasës politike në përgjithësi, s’ka rëndësi e djathtë apo e majtë. 

Nga ana tjetër, absurdi për të cilin fola më lart, pasqyrohet edhe në kinematografi. Sot prodhojmë dhjetëfish më pak filma se dikur. Ka mbetur ende në këmbë Teatri Kombëtar, i cili është shumë pak, plus edhe disa teatro të tjerë të vegjël, si ai i bashkisë. Ka edhe disa iniciativa private, që janë për t’u lavdëruar, por që kanë përmasa të vogla. Kjo bën që ai brez i ri aktorësh, për të cilin fola më lart,  të mos ketë mundësi ta ushtrojë profesionin, por të luftojë për mbijetesën ekonomike. Dhe siç e dimë, kur luftohet për “bukën e gojës”, siç thuhet, aty merr fund dinjiteti, profesionaliteti dhe krijimtaria e mirëfilltë artistike. Në këtë pikëpamje unë e mirëkuptoj sfidën e këtij brezi të ri aktorësh.

 

Në vijim të pyetjes së parë, si përballeni me fenomenin e moshës? Si e përjetoni kohën që ikën? Me fatalitet, apo me humor dhe pa kokëçarje?

Duhet t’ju informoj për një fakt: unë tashmë kam dalë në pension. Edhe ky një hap normal në rrugën e gjatë të jetës. Nuk mund të them se deri tani kam ndonjë ndjesi të veçantë për këtë ndryshim, pasi jam përpjekur gjatë gjithë viteve të karrierës të qëndroj në pozita të forta pune, të jem i angazhuar. Ashtu vazhdoj të jem dhe tani. Një aspekt tjetër, është që gjithmonë jam sforcuar të qëndroj jashtë influencave politike, jashtë klaneve mediatike dhe atyre artistike apo ekonomike. Kjo pavarësi ka pasur një faturë kostoje për mua, por më ka sjellë pavarësinë, që unë e çmoj mbi gjithçka. 

Nga kjo pozitë disi “e veçuar”, kam bashkëpunuar prej vitesh edhe në Teatër, duke punuar në baza individuale dhe me asetin tim profesional. Natyrisht i kam respektuar të gjithë dhe kam marrë prej tyre të njëjtin trajtim. Axhenda ka qenë dhe vazhdon të jetë e zënë, si brenda, ashtu dhe jashtë vendit.

Sa për marrëdhëniet me moshën i përjetoj jo keq, që të jem i sinqertë. Ndoshta fakti që jam martuar vonë dhe që kam detyrime të caktuara për shkak të kësaj vonese, ose fakti që jam marrë dhe merrem ende me sport, pa harruar, siç përmenda më lart edhe angazhimet artistike – të gjitha këto më kanë ndihmuar të ruaj ngarkesën dhe tensionin e nevojshëm, për ta mbajtur larg “pleqërinë”.

 

Sa nostalgji ndjeni për kinemanë? Ose e thënë ndryshe, sa ju mungon ekrani i vogël dhe kontakti në distancë me njerëzit, përmes televizionit dhe sallave të kinemave? Ka pasur shumë diskutime këto 20 vjet, rreth boshllëkut që u krijua në krijimtarinë filmike. Ju si e shihni këtë problem?

Është mjaft e lehtë t’ju përgjigjem në mënyrë afirmative për pyetjen që bëni. Pra, më mungon kinemaja dhe kjo është një gjë krejt normale. Është një pjesë e rëndësishme e karrierës time. Për ne aktorët thuhet se teatri të mëson profesionin, kurse filmi të jep popullaritetin. Por kinemaja ka një specifikë të spikatur, sa i përket interpretimit. Dhe brezi im ka pasur mundësi ta ushtrojë gjerësisht interpretimin filmik, për shkak se këtu prodhoheshin rreth 15 filma artistikë në vit. Ky ishte një komoditet i jashtëzakonshëm për ne, pasi ishte një shifër që nuk e kishin as shtete si Çekia, Austria apo Hungaria. Natyrisht që kjo prodhimtari lidhej edhe me aspektin propogandistik, pasi regjimi asokohe, në artistëve na përcaktonte si “ndihmës të Partisë në edukimin komunist të masave”. Në këtë pikëpamje, investohej për artin teatror dhe filmik. 

Por kinemaja, duke pasur një armatë të madhe krijuesish, ka krijuar dhe vlera të mëdha artistike. Pavarësisht se ka pasur edhe filma skematikë, të dobët apo të deformuar, ka pasur edhe krijime si “Lulëkuqet…” e Anagnostit, apo “Përrallë nga e kaluara”, ose “Koncert në vitin ‘36”, apo filmat e Viktor Gjikës, Çashkut, Esat Musliut etj, të cilët janë krijime të spikatura dhe me shumë cilësi. Ka qenë një plejadë regjisorësh, por edhe operatorësh, që krijuan vepra të vërteta filmike. 

Ajo që është anormale, është se sot, të rinjtë na kërkojnë ende autografe, duke na përmendur rolet që kemi luajtur në atë kohë. Kjo vjen pasi sot klasa drejtuese e vendit e koncepton artin si një sektor të menaxhueshëm, në bazë të kriterit të rentabilitetit. Pra, si një mall çfarëdo. 

Ndërkohë që është krejt e kundërta. Shqipëria ka një treg të vogël, që nuk mund të përmbushë këto kritere në fushën e artit dhe kulturës. Gjithmonë do të kemi nevojë ta nxisim me financime kulturën shqiptare, në një garë të pabarabartë me kulturat e vendeve të mëdha. Arti e kultura dëshmojnë individualitetin e një kombi, janë kode bazë të qenies së një kombi, ato janë ADN-ja e tij. 

Duhet investuar fort tek imazhi, për pasojë edhe tek filmi. Imazhi po merr një peshë gjithnjë e më të madhe në botën e sotme, ku teknologjitë e komunikimit janë gjithnjë e më dominuese. Duhet të të shohin diku, që të të njohin dhe të vlerësojnë më pas. Dhe filmi e kryen këtë mision më së miri. Filma të njohur historikë, janë dëshmi të historisë së vendeve të caktuara. Për shembull, është e pafalshme të mos kemi filma artistikë për periudhën komuniste, për atë që ndodhte atëhere, por edhe për  tranzicionin, siç janë momentet e rënies së piramidave, viti 1997. Kemi krijimtari shumë të mirë të shkruar, siç është për shembull romanin “Varri i fshehur” i Kolevicës, por nuk ka një dëshmi filmike të ngjashme. Për fat të keq, kjo periudhë ka rrafshuar vlerat. Në krye të institucioneve të artit e kulturës, po vihen “djem të shkathët” , me gjuhë të huaja e lloj-lloj aftësish, por që nuk dinë të luajnë. Për pasojë po krijojnë filma pa vlera, duke shtrembëruar shpesh realitetin. Edhe teatri ndodhet në pozië të ngjashme. Një ligj për mendimin tim diktatorial, po dëmton rëndë funksionimin e teatrit. Ky ligj thotë se edhe drejtori, edhe këshilli artistik, zgjidhen me firmat e kryeministrit ose ministrit të linjës. S’ka asnjë status që ta mbrojë artistin. Në krye të këtyre institucioneve vihen njerëz tërësisht të politizuar. Ndërkohë spektatori ka kërkesat e tij, por niveli i teatrit ka rënë tashmë. Kjo është për të ardhur keq.

 

Cilët ndër rolet filmike ndjeni më afër sot, teksa shihni rolet ku keni interpretuar? Po në lidhje me rolet teatrale, ç'mund të thoni?

Ndër filmat e asaj epoke, mbeten mendoj disa role në filma me karakter humoristik. Ka qenë për shembull një rol në filmin “Zëvendësi i grave”, që është në fakt kërkimi i vetvetes. Një mesazh shumë filozofik, i personit që kërkon të gjejë vetveten, çka e bën të gjithëkohshëm rolin në fjalë. Edhe sot ka shumë personazhe në jetën reale, që janë në kërkim të vetvetes, pikërisht si personazhi që interpretoj unë në atë film. Një tjetër film komik “Edhe ashtu, edhe kështu”, ka një personazh aktual për kohën tonë. Toger Shazivari është një tjetër rol i një filmi të madh të Kumbaros, “Koncert në vitin ‘36”. Do të përmendja edhe filmin e Çashkut “Dora e ngrohtë”, ku roli që luaj (Bakja), është një personazh tipik i shoqërisë së kohës. 

Në teatër mund të përmend rolin e Sokratit, si rol qëndror të viteve të fundit. Apo një personazh jo shumë i njohur, Marin Miroju, në një pjesë të jashtëzakonshme rumune “Ylli pa emër”, të vënë në skenë nga Mario Ashiku. 

 

Me çfarë po merreni në këtë moment? Cilat janë planet tuaja artistike? 

Aktualisht po merrem me dy role, që janë pjesë e një shfaqjeje në Britaninë e Madhe, nën kujdesin e ambasadorit Mal Berisha. Më pas në tetor do të interpretoj sërish Apologjinë e Sokratit, kurse në dhjetor do të marr pjesë në një koncert të Inva Mulës. Përsa i takon “Apologjisë…”, duhet të them se kjo shfaqje është dhënë në disa skena, si në Toronto, Paris, Kiev, Beograd, Vjenë. 

Në shumicën e këtyre vendeve, ka qenë shfaqja e parë në shqip. Reagimi i spektatorëve është shumë interesant, kur dëgjojnë gjuhën tonë. Natyrisht që ata lexojnë me vëmendje titrat e përkthimit, por ti e kupton menjëherë sesa i vëmendshëm është spektatori, nga qëndrimi që ai mban gjatë shfaqjes. Në Kajro ka qenë një eksperiencë e veçantë, pasi mes 48 vendeve të botës që merrnin pjesë, unë u nderova me çmimin e parë. Edhe në Kiev isha i nderuar të merrja një çmim që një vit më parë i ishte dhënë Ani Zhirardosë. Bëhet fjalë për konkurse dhe shfaqje të formatit ndërkombëtar. Edhe në Athinë, në sallën më të madhe të bashkisë së kryeqyetit helen, kam pasur një shfaqje të paharrueshme. Mendoni “Apologjinë e Sokratit” për publikun grek! Ishte një eksperiencë që më la mbresa të pashlyeshme dhe që shpresoj se u vlerësua lart nga kritika dhe spektatorët. Kjo eksperiencë ka qenë një dëshmi e gjallë e popullaritetit dhe simpatisë me të cilën shihet arti shqiptar në botë.

/revista "Java"/