Tiranë, 30 korrik 2014 – Dy ish përgjegjës së doganës në Porto-Romano janë kallëzuar penalisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për shpërdorim detyre. Kallëzimi penal është bërë pas shkeljeve të konstatuara nga auditimi.
“KLSH, ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për personat K.Rr. dhe D.K., ish-Përgjegjës të Sektorit në Porto-Romano, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Po ashtu, KLSH ka rekomanduar 19 masa organizative, 8 masa për shpërblim dëmi në vlerën 478,215,554 lekë, si dhe masa administrative gjobë për 58 subjekte ne vlerë totale 3,950,000 lekë”– bëhet me dije nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Gjatë auditimit të KLSH-së u konstatuan shkelje që kanë të bëjnë me mos veprimin me të njëjtin standart, për zhdoganimin e mallrave, (për mallra identikë, me të njëjtën origjinë malli dhe vend eksportues), ku për artikullin “veshje të këmbës”, është favorizuar një operator ekonomik, krahasuar me 10 operatorët e tjerë që operojnë në të njëjtën fushë, duke sjellë pabarazi në treg.
Gjithashtu, në kundërshtim me nenin 245 të Kodit Doganor është lejuar për subjektet debitorë të zhdoganojnë në Doganën e Degës Durrës, duke mos ushtruar kompetencat për masat shtrënguese në zbatim të ligjit, për vjeljen e detyrimeve doganore.
Një shkelje tjetër e konstatuar është se asnjë kontratë e operatorëve ekonomikë me eksportuesin, si dhe dokumentacioni shoqërues i praktikave doganore, nuk përmbush elementët ligjorë. Në të njëjtën kohë nuk janë aplikuar gjoba për subjektet që kanë operuar duke shkelur ligjin.
Mangësitë e mësipërme kanë shkaktuar një efekt financiar të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit në vlerë 417,204,042 lekë, nga të cilat 334,407,165 lekë i përkasin vitit 2012 dhe 81,686,928 lekë i përkasin vitit 2013, ndersa 1,110,122 lekë janë detyrimet doganore të rivlerësuara për vitin 2011.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





