Tiranë, 22 korrik 2014 – Një denoncim aspak i zakontë është regjistruar ditët e fundit nga efektivët e policisë së kryeqytetit.
Një 52 vjeçar ka denoncuar në komisariat faktin se përndiqej nga një 28 vjeçare, me të cilën njihej prej disa muajsh.
Policia bën me dije se në datën 18 korrik ka nisur procedimi penal për 28-vjeçaren A.N., nga Berati, e cila tashmë është shpallur edhe në kërkim nga strukturat e policisë.
Mësohet se vajza nga Berati, prej disa kohësh përndiqte dhe kanoste përmes telefonit 52-vjeçarin me inicialet A.P., nga kryeqyteti, i cili ishte në gjendje të mirë ekonomike.
Sipas uniformave blu, ky i fundit prej kohësh komunikonte në telefon me 28-vjeçaren nga Berati. Madje, sipas policisë, vajza dhe pasaniku janë takuar disa herë, por pas kësaj 52-vjeçari ka dashur që t’i japë fund marrëdhënies me vajzën.
Por duket se kjo e fundit nuk ka qenë aspak dakort me vendimin e marrë nga partneri i saj. Për këtë e shqetësonte vazhdimisht me telefonata, sms etj, madje e kërcënonte se do t’i tregonte gruas së 52 vjeçarit për lidhjen.
I ndodhur para një presioni të tillë, 52 vjeçari ka vendosur t’i drejtohet policisë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





