·        Rrethi bregdetar është në parametrat normalë për nga numri i popullsisë kundrejt Beratit që ka tre herë më pak banorë se Durrësi por me më shumë aborte

DURRËS, 21 korrik 2014 – Durrësi renditet rrethi i pestë në Shqipëri për nga numri i aborteve gjatë vitit 2013, kështu raportojnë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) Alba Merdani, Dorina Çanaku dhe Eduard Kakarriqi në Departamentin e Epidemiologjisë dhe Sistemeve Shëndetësore.

Në buletinin e fundit të ISHP-së është botuar shkrimi “Abortet për vitin 2013 sipas sistemit të survejancës së abortit”.

Në këtë përmbledhje paraqiten rezultatet nga përpunimi i skedave të abortit, të ardhura në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) nga të gjitha rrethet e vendit për vitin 2013, viti i gjashtë i grumbullimit të të dhënave mbi abortin bazuar në dokumentin zyrtar raportues (skeda e abortit).

Në vitin 2013 janë raportuar në shkallë vendi 6 442 aborte gjithsej, thuhet në këtë publikim zyrtar.

Numri i skedave të ardhura në ISHP nga të gjitha qendrat raportuese është 4 447, duke përfaqësuar 69 për qind raportim të aborteve me skedën e abortit.

Abortet e kryera në sektorin publik përbëjnë rreth 95.4 për qind të numrit total të aborteve.

Ndër qytetet me numrin më të lartë të aborteve pas Tiranës (me 2 908 të tilla) renditen Fieri me 434 aborte, Vlora 428 aborte, Berati me 416 aborte dhe Durrësi me 400 aborte (shih tabelën).

Në rastin e Durrësit raportohet se 383 aborte janë të deklaruara me skedë, që përbëjnë 95.8 të numrit gjithsej prej 400 të tilla.

Megjithatë, në raport me numrin e popullsisë, Durrësi ka 6,2 për qind të aborteve në shkallë vendi, përballë Beratit me një numër shqetësues dhe dukshëm më të lartë. teksa në rrethin e Beratit ka rreth 3 herë më pakë banorë se në rrethin bregdetar. 

Info

Instituti i Shëndetit Publik ka të dhëna mbi numrin e aborteve që kryhen sipas rretheve të vendit, shpërndarjen e tyre urban – rural, si dhe të dhëna të tjera lidhur me vendbanimin e nënës, gjendjen familjare, shkallën arsimore, sigurimet shëndetësore, punësimin dhe të dhëna të tjera lidhur me llojin e abortit apo teknikën kryesore të përdorur.

Skeda duhet plotësuar detyrimisht nga mjeku për çdo ndërprerje të shtatzënisë, dhe duhet raportuar nga Inspektori i Shëndetit Riprodhues të rrethit në Institutin e Shëndetit Publik.

Plotësimi i saktë dhe i të gjitha rubrikave që përmban skeda e abortit është jo vetëm kusht metodologjik për çdo maternitet apo klinikë private të licencuar për ndërprerje shtatzënie, por edhe një detyrim ligjor për të siguruar të dhëna dhe informacion të vlefshëm. Skeda e abortit nuk përmban identitetin (emrin) e gruas, për të ruajtur konfidencialitetin e saj.

Çdo vit, Instituti i Shëndetit Publik mbledh të dhëna lidhur me abortet nga 34 qendra raportimi publik (maternitete të rretheve), si dhe nga gjithë institucionet private të licencuara për ndërprerje shtatzënie, në bazë të Urdhrit të Ministrit dalë në vitin 2007.

Maternitetet e rretheve Kuçovë, Mallakastër dhe Malësi e Madhe nuk kryejnë ndërprerje shtatzënie.

Abortet sipas llojit

Vërehet se ka një rritje mjaft të madhe të aborteve spontane kundrejt atyre me kërkesë të gruas.

Në vitin 1996 në shkallë vendi për qind abortet spontane përbënin rreth 18,2 për qind të gjithë aborteve të raportuara, për vitin 2009 ato përbënin 48,1 për qind të totalit të aborteve, dhe në vitin 2013 abortet spontane përbëjnë rreth 67,2 për qind të numrit total të aborteve.

Vihet re se peshën kryesore të aborteve e përbëjnë ato të kryera nga gratë e moshës 25-34 vjeç, ndërkohë që abortet e kryera nga adoleshentët (14-19 vjeç) përbëjnë rreth 4.9 për qind të numrit total të aborteve të kryera.

Abortet sipas vendbanimit të gruas

Duke analizuar të dhënat e skedave të , vihet re se abortet e kryera nga femrat që banojnë në qytet (zonat urbane) për vitin 2013 përbëjnë 61.2  për qind të numrit total të aborteve (65,1 për qind për vitin 2012), duke qenë kështu një tablo e qartë e tranzicionit demografik që ka pësuar vendi ynë.

Abortet sipas gjendjes familjare të gruas

Krahasimi i aborteve sipas grupmoshës së gruas dhe statusit martesor të saj, nxjerr në pah se në Shqipëri pjesa më e madhe e aborteve (92.8 për qind e tyre) kryhen nga femrat e martuara, kundrejt 6.3 për qind që kryhen nga femrat e pamartuara.

Abortet sipas statusit të punësimit dhe sigurimit të gruas

Krahasuar me vitin 2012, vihet re se gjithnjë e më tepër abortet po kryhen nga femrat të cilat nuk janë të punësuara dhe të siguruara. Për vitin 2013 abortet e kryera nga femrat e papuna zënë rreth 83.1 për qind të aborteve totale, kundrejt 80.8 për qind që ka qenë përqindja e aborteve të kryera nga femrat e papunësuara në vitin 2012. Gjithashtu, përqindja e aborteve të kryera nga femrat e pasiguruara për vitin 2013 është 78.4 për qind, kundrejt 80.1 për qind që ishte në vitin 2012.

/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/