Tiranë, 21 korrik 2014 – Pas OSBE-së, edhe Unioni i Gjyqtarëve ka dalë kundër projektligjit të Qeverisë për KLD-në. Unioni kundërshton pikën e pezullimit të gjyqtarëve, kur ndaj tij ka procedim penal. Sipas Unionit, kjo pikë është në kundërshtim me Kushtetutën.  Ankesat e Unionit i janë drejtuar kreut të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj.

“Bëhet fjalë për nenin 5/b të projektligjit, sipas të cilit, në nenin 21, pas pikës 1, shtohet pika 1.1 me këtë përmbajtje: “Në rastin kur është regjistruar procedimi penal ndaj një gjyqtari, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendos pezullimin e gjyqtarit nga detyra derisa të merret vendim gjyqësor i formës së prerë.”.

Aktualisht imuniteti i gjyqtarëve është kufizuar në Kushtetutë dhe ata mund të ndiqen penalisht pa asnjë pengesë, përfshi këtu edhe zhvillimin e hetimeve proaktive ndaj tyre. Interesi publik për luftën ndaj korrupsionit prevaloi mbi nevojën për ruajtjen e imunitetit, si mjet i shtuar për të garantuar pavarësinë e gjyqtarëve dhe gjyqësorit, shprehje e së drejtës së çdo personi për një proces të rregullt ligjor, parashikuar nga neni 6 i KEDNj-së dhe neni 42 i Kushtetutës.

Në këto rrethana, detyrimi ligjor i KLD-së për të pezulluar automatikisht gjyqtarin, me regjistrimin e procedimit penal ndaj tij, ekspozon pavarësinë e gjyqtarëve dhe gjyqësorit ndaj një rreziku të shtuar, jo vetëm nga pushtetet e tjera, por edhe nga vetë palët ndërgjyqëse.

Ky parashikim, në optikën tonë, nuk është në pajtim me Kushtetutën”,thuhet në letrën që Unioni i ka drejtuar Xhafajt.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/