Durrës, 19 korrik 2014 – Bledar Hodo mendon se Teuta është në rrugën e duhur për të ndërtuar një ekip të fortë dhe me pretendime për sezonin e ri. Sipas tij, grupit i janë shtuar lojtarë të rinj, por me shumë kualitete dhe secili prej tyre duhet mbështetur maksimalisht deri në ambientim të plotë. Mesfushori tregon se faza përgatitore po shkon shumë mirë dhe se nga dita në ditë lojtarët shkojnë drejt një formë fizike optimale.

“Qëkur kemi filluar stërvitjen këtu në Austri intensiteti dhe orari i përgatitjeve ka ardhur gjithnjë e në rritje. Kushtet janë tepër të favorshme dhe mendoj që çdo ditë qëndrimi këtu po na shërben shumë në të gjitha drejtimet. Këto ditë po i kushtojmë shumë rëndësi përgatitjes fizike, pasi lojtarët vijnë nga pushime të gjata, çka është shumë e rëndësishme për të arritur formën optimale. Po stërvitemi shumë që ta përballojmë siç duhet kampionatin e ardhshëm, i cili për hir të së vërtetës do të jetë shumë i vështirë. Skuadrat do rivalizojnë fort dhe duke qenë më pak ekipe, arritja e secilit objektiv do të jetë e vështirë për këdo. Gjithsesi, mendoj se do ia dalim mirë sezonin që vjen, nisur edhe nga puna që po bëhet në ndërtimin e skuadrës. Janë afruar shumë lojtarë, pjesa më e madhe e të cilëve janë të rinj, por që premtojnë shumë. Janë elementë që japin garanci edhe për të ardhmen e klubit. Nga secili prej tyre pritet shumë, por fillimisht duhen mbështetur maksimalisht nga të gjithë, në mënyrë që të përshtaten shpejt dhe me aftësitë e tyre t’i shërbejnë sa më shumë skuadrës dhe objektivave të klubit”, u shpreh Bledar Hodo.

Ndeshjet miqësore, sipas mesfushorit energjik të Teutës, nuk tregojnë aspak forcën reale të ekipit, por më shumë i shërbejnë harmonizimit të grupit dhe skemave që kërkon të implementojë trajneri.

“Kemi zhvilluar dy ndeshje miqësore deri tani, por kurrsesi nuk mendoj se është i rëndësishëm rezultati. Ato shërbejnë më tepër që lojtarët të kuptojnë më shumë rreth lojës së njëri-tjetrit, në mënyrë që të funksionojë siç duhet loja në ekip. E rëndësishme është që skuadra po vjen gjithnjë e në rritje, çka u pa edhe në ndeshjen e dytë miqësore”, përfundoi 29-vjeçari Hodo.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/