Gjermani, 19 korrik 2014 – Një zjarr që ka përfshirë hotelin e skuadrës Uilliams në Hokenhaim, dy ditë para Çmimit të Madh të Gjermanisë, ka shkaktuar kaos para fillimit të fundjavës së kësaj gare. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3 të mëngjesit të së premtes, kur punonjësit e hotelit “Mondial” që gjendet 8 kilometra larg pistës së Hokenhaim, kanë urdhëruar evakuimin e plotë për shkak të këtij zjarri të papritur, për të cilin po heton edhe policia kriminale gjermane.
Rreth 60 persona janë evakuuar nga ambientet e hotelit, ndërsa është raportuar se për shkak të thithjes së tymrave, 4 mekanikë të Uilliams kaluan natën në spital. Për pilotët Felipe Masa dhe Valteri Botas, nuk ka pasur asnjë problem, pasi të dy ishin të sistemuar në një hotel tjetër. Policia ka treguar se si zjarri ka shpërthyer në ambientet e barit, duke përshirë më pas të gjithë katin e parë, arsye pse të gjithë personat u detyruan të evakuoheshin nga shkallët e sigurisë. Policia nuk ka hedhur poshtë hipotezën e një zjarrvënieje të qëllimshme, që në këtë rast do të kishte si objektiv pikërisht skuadrën Uilliams.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





