Nga James Pettifer dhe Miranda Vickers

Historianët anglezë, tashmë të mirënjohur në Shqipëri për mbrojtjen e kauzës shqiptare, James Pettifer dhe Miranda Vickers, përshkruajnë me hollësi në këtë material që po botojmë se çfarë ndodhi në 12 shtator 1998. Si dhe pse u vra Azem Hajdari? Dyshimet për vrasësit e vërtetë të tij dhe pasojat që solli në politikën e Tiranës. Është interesant fakti se ky përshkrim i historianëve anglezë është në koherencë të plotë me intervistën që i dyshuari kryesor dhe i dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e Azem Hajdarit, Jaho Mulosmani dha ditët e fundit për gazetën ‘DITA’. Pavarësisht se historianët anglezë nuk e kanë takuar asnjëherë Jaho Mulosmanajn. Faktet që ata sjellin janë vërtetë interesante dhe që meritojnë të tërheqin vëmendjen e Prokurorisë për një rihetim të çështjes…

***

Gjatë vapës sfilitëse të javës së parë të shtatorit klima politike në Tiranë u bë edhe më e tensionuar. Qyteti i ngjante një qendre gjeratoreje të krizës së madhe dhe gjeopolitikisht gjithëpërfshirëse të konfliktit të Kosovës që ishte duke ndodhur. Thashethemnaja e fundit mbi një përpjekje të mundshme nga besnikët e Sali Berishës për të rrëzuar qeverinë kishin krijuar një atmosferë elektrizuese në kryeqytet. Forcat e sigurisë ishin vënë në gjendje alarmi të shkallës më të lartë dhe patrullonin si policë të maskuar rrugët sapo fillonte të errësohej, ndërsa shumëkush priste me ankth se çoç do të ndodhte. Dhe nuk do të prisnin gjatë.

 

Si ndodhi vrasja e Azemit

Në mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, një nga figurat më të shquara të opozitës, 35-vjeçari Azem Hajdari, një nga politikanët më popullorë të Shqipërisë u qëllua për vdekje ndërsa po dilte nga selia e Partisë Demokratike në Tiranë. Ai u qëllua nga njerëz të armatosur në një veturë të parkuar mu përpara godinës së PD-së. U vra gjithashtu edhe  një truproje e tij. Hajdari, përfaqësuesi më i zjarrtë i të djathtës shqiptare, kishte udhëhequr studentët e Tiranës në demonstratat antikomuniste më 1990. Ashtu si edhe Berisha, ai ishte me origjinë nga rrethi verior i Tropojës dhe kishte qenë një nga kandidatët për udhëheqës të demokratëve më 1991, por një marifet i sajuar nga amerikanët, në vend të tij nxori Berishën në krye. Hajdari, i përshkruar nga një vëzhgues i huaj si “i ri, rrondokop dhe poterexhi i pagdhendur,” e dinte që ishte duke jetuar një kohë të dhuruar, pasi u kishte mbijetuar një sërë atentatesh, duke përfshirë dhe përpjekjen për vrasjen e tij në parlament në shtatorin e mëparshëm.

Nuk ishte i mundur asnjë hetim i skenës së krimit pasi, menjëherë pas vrasjes, trupat e Hajdarit dhe truprojës së tij u transportuan në spital pa u ekzaminuar. As autopsi zyrtare apo ndonjë ekzaminim nuk iu bë trupit të Hajdarit dhe hetuesit nuk qenë në gjendje të siguronin ndonjë nga sendet personale të tij në kohën e vrasjes. Rrobat e tij të përgjakura dhe dokumentet vetjake, si dhe telefoni celular ishin zhdukur para se policia të mbërrinte në skenën e ngjarjes. Është bërë e ditur se Hajdari ka marrë telefonatën e fundit, e cila bëri që ai të dilte nga zyra e tij në rrugë, pak minuta para vrasjes. Telefoni i tij celular nuk u gjet kurrë. Një element imponues që flet për dijeninë paraprake të vrasjes së tij është një deklaratë për shtyp në një anglishte shumë të mirë që shpërndau selia e Partisë Demokratike brenda 20 minutash pasi kishte ndodhur vrasja. Sipas një vëzhguesi, një njoftim zyrtar i PD-së për vdekjen e Hajdarit mbërriti në zyrën e OSBE-së në Tiranë me anë të faksit një orë pas vdekjes së tij. Faksi jo vetëm që ishte shkruar shumë mirë, por ai ishte gjithashtu shumë i hollësishëm, duke akuzuar njerëz konkretë për rolin e tyre në vrasje. Faksi dukej tej mase i ujdisur për një ngjarje të një nate të shtune. Fakset e PD-së gjatë orarit të punës shumë rrallë mund të krahasoheshin me këtë për nga qartësia dhe saktësia, ndaj dhe një numër njerëzish kanë spekuluar duke thënë se faksi mund të jetë përgatitur qysh më parë. Por, se për çfarë qëllimi, askush nuk ishte i sigurt për këtë.

Me përhapjen e lajmit të vrasjes, tronditja që pësoi vendi u shndërrua në ankth. Para së gjithash, shumëkush mendoi se çfarë kapitali politik do të fitonte Berisha nga vdekja e një njeriu, të cilin shumica e njerëzve besonin se ai personalisht e kishte neveri, por që tani bëhej më shumë se i vlefshëm si një martir ‘i sakrifikuar për demokraci’. Turmat u mblodhën gjatë natës në selinë e PD-së ku në mëngjes herët u mbajt nxitimthi një konferencë shtypi. Atje, përballë turmave që shtoheshin e shtoheshin, me një pamje prej meiti, Sali Berisha fajësoi kryeministrin Fatos Nano për vrasjen e Hajdarit dhe e paralajmëroi atë të jepte dorëheqjen brenda 24 orëve, përndryshe ai do të përballej me ‘pasoja katastrofike’. Shtypi opozitar u përgjigj me shpejtësi duke i rënduar dyshimet për vrasjen e Hajdarit mbi shpatullat e kryeministrit. Titujt e të përditshmes pro-PD Albania me piskamën ‘Azem Hajdarin e vrau Fatos Nanoja!’ i hidhnin më shumë benzinë zjarrit.  Nga ana tjetër, mbështetësit e qeverisë ishin të bindur se Berisha vetë e kishte sajuar vdekjen e Hajdarit me synimin për të krijuar një martir që pastaj të fitonte mbështetje në popull në përpjekjen e tij për t’u rikthyer në pushtet me anë të një revolte popullore. Në një intervistë televizive në orët e para të së njëjtës ditë Nanoja, dukshëm i shqetësuar, u kishte bërë thirrje shqiptarëve që të mos lejonin kundërshtarët e tij të merrnin pushtetin me forcë.

Berisha me siguri ishte i implikuar në ngjarjet e 12 shtatorit nëpërmjet njërit prej tre njerëzve që më vonë u dyshuan për vrasjen e Hajdarit: Jaho Salihit (Mulosmani), një shef policie, gjithashtu nga Tropoja (vendi i origjinës së Hajdarit). Në maj të vitit 2001, Salihi pranoi në gjyq se e kishte vrarë Azem Hajdarin. Megjithatë, vetëm dy muaj më vonë ai tha në gjyq se, pavarësisht se kishte marrë pjesë në vrasje, Azemi u qëllua nga Fatmir Haklaj, i cili ishte jo vetëm shef i policisë së Tropojës, por edhe kreu i bandave kriminale të qytetit. Hajdari ishte ngatërruar keqas në tregtinë plot dyshime të shitjes së armëve UÇK-së, e cila e kishte bazën në Tropojë. Ky ishte një biznes mjaft fitimprurës që hapi shumë gjakmarrje si pasojë e konkurrencës së egër midis tregtarëve të armëve.

Kishte a s’kishte dorë Berisha në vdekjen e Hajdarit, drejtpërdrejt apo tërthorazi është një ndër akuzat që ende kanë mbetur të paprovuara. Po kjo mund të thuhet dhe për akuzat e anasjellta të PD-së kundër Fatos Nanos. Por ekziston edhe një mundësi që Hajdari të jetë vrarë nga ndonjë prej fraksioneve brenda UÇK-së që grindeshin ashpër për dërgimin e armëve në Kosovë.

Në të vërtetë, është e çuditshme se si Hajdari jetoi aq gjatë. Kjo ishte të paktën përpjekja e tretë për t’i marrë atij jetën. Orvatja e parë për ta vrarë atë u bë më 1996 në tragetin e Fierzës, kur një bashkudhëtar, ndoshta zyrtari i lartë i PD-së Vili Minarolli, veshi pardesynë e bardhë të Hajdarit, prandaj u qëllua ai dhe jo Hajdari nga brigjet e lumit. Orvatja e dytë ndodhi brenda ndërtesës së parlamentit më 18 shtator 1997, kur gjatë një debati të ashpër, Hajdari i futi kokën midis shalëve një deputeti socialist, Gafurr Mazrekut. Ky veprim ishte një fyerje mjaft e rëndë për shumë njerëz që e panë, kështu që Mazreku u detyrua të hakmerrej për të vënë në vend nderin e tij. Ai e qëlloi dhe e plagosi rëndë Hajdarin mu brenda parlamentit. Pak kohë pas këtij incidenti, më shumë se 150 plumba u shtinë ndaj një autokolone në të cilën udhëtonte Hajdari.

Duke ndjekur ultimatumin e Berishës për dorëheqjen e Nanos, rreth dy mijë nga ithtarët e tij marshuan drejt selisë së kryeministrisë dhe, duke thirrur “Vdekje Fatos Nanos!”, shtinin në ajër me armë dhe qëllonin pareshtur me gurë godinën qeveritare. Turma hyri me forcë në ndërtesë, ku Fatos Nanoja dhe kabineti i tij ishin duke mbajtur një takim me ngut, dhe, pasi shkëmbeu ca të shtëna me rojet, i vuri flakën katit të parë. Ministrat ikën në panik nga një dalje anësore midis shpërthimeve të serbatorëve të veturave, që protestuesit u kishin vënë flakën. Njerëz të armatosur mandej plaçkitën zyrën e kryeministrit dhe zyra të tjera, ndërkohë që mbështetës të opozitës të hipur në vetura dhe të armatosur rëndë valëvisnin flamujt kombëtarë duke rendur me shpejtësi rrugëve të kryeqytetit. Ambasodori i OSBE-së, Daan Everts, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Mariza Lino, si dhe ambasadori italian Spatafora ishin ndërkohë në takim me Fatos Nanon dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të diskutuar mbi krizën.

 

Funerali

Ditën tjetër u pa një dhunë edhe më e egër kur u mbajt funerali i Azem Hajdarit, truprojës së tij dhe një protestuesi që ishte vrarë në përleshjet e së dielës. Gjatë funeralit, Berisha përsëriti deklaratën e tij se Nanoja ishte përgjegjës për vrasjen e Hajdarit, ndërsa bëri thirrje për ‘një ditë paqeje’ për të nderuar kujtimin e ish-udhëheqësit karizmatik të studentëve. Kjo retorikë kontradiktore veçse e ndezi më keq situatën. Gjatë ceremonisë së përmortshme, qindra nga demonstruesit antiqeveritarë mbajtën në krahë arkivolin e Azemit duke ecur përgjatë bulevardit qendror të kryeqytetit në drejtim të zyrës së kryeministrit (e cila ishte sulmuar dhe djegur gjatë trazirave të së dielës). Përleshje të ashpra u bënë kur turma u përpoq të fuste tre arkivolet në zyrën e kryeministrit. Turma, as më shumë e as më pak, i përplasi arkivolet si dash për të goditur dyert, të cilat u shqyen dhe nisi grabitja e u bë një ferr i vërtetë. Më vonë zyrtarët e PD-së pretenduan se gjithë ç’ndodhi ishte reagim ndaj të shtënave që erdhën nga ndërtesa e kryeministrisë. Por zëvendësshefi i Misionit të OSBE-së, Tim Isles, ishte një nga dëshmitarët okularë që kishte ndjekur pareshtur ngjarjet në bulevardin qendror. Ai ka njoftuar se nuk është e vërtetë që të shtënat erdhën nga godina qeveritare. Edhe granata u hodhën drejt godinës qeveritare gjatë atij sulmi. Pas një shkëmbimi të dendur zjarri, turma lëvizi drejt rezidencës së Nanos aty pranë. Tanke dhe mjete të tjera të blinduara dolën në rrugë, nja dy prej të cilëve u rrëmbyen nga turma e armatosur. Një grup protestuesish u dyndën drejt studiove të TV shtetëror, duke nxjerrë jashtë me dhunë punonjësit e tyre. Shikuesit panë pastaj një burrë të panjohur duke njoftuar nga ekrani se ‘Ne e kemi marrë pushtetin’. Pastaj ai i kërkoi popullit të priste me durim derisa qeveria të jepte dorëheqjen.

Situata u përkeqësua me shpejtësi pasi u pa se qeveria kishte humbur kontrollin e kryeqytetit. Nga pasditja, mijëra njerëz vinin rrotull sheshit Skënderbej, duke shtënë vazhdimisht me armë në ajër dhe duke plaçkitur dyqanet (të cilat ishin mbyllur për funeralin e Hajdarit). Hajdutët harbutërisht iu turrën Ministrisë së Drejtësisë dhe filluan të mbushnin makinat e tyre me mobiljet, tapetet dhe aparaturat kompjuterike. Në këtë moment, sipas një vëzhguesi, ambasadori i OSBE, Everts, vendosi të takohej me krerët më të lartë të politikës për të testuar gjendjen. Ai thirri Kastriot Islamin, Presidentin Meidani dhe Sali Berishën, pasi kryeministri Nano nuk gjendej gjëkundi. Islami ishte krejtësisht i çoroditur dhe i kërkoi ambasadorit se çfarë duhej të bënte. Presidenti Meidani ishte shumë i shqetësuar, por me shumë qetësi shprehu rezervat për bisedimet me Berishën. Evertsi takoi mandej Gramoz Pashkon, i cili ndodhej në ministrinë e Brendshme. Sipas Pashkos, ai dhe ministri i Brendshëm Perikli Teta, kishin rreth 100 njerëz të armatosur dhe kishin ndërmend të vrisnin cilindo nga protestuesit që do të përpiqej të hynte në ndërtesë. Pashko ka thënë se i kërkoi ambasadorit Everts t’u jepte një mesazh protestuesve duke u thënë se ishte më e udhës që ata të tërhiqeshin menjëherë nga ndërtesa, përndryshe njerëzit e tij do të hapnin zjarr. Pas kësaj Evertsi bëri dy telefonata. Fillimisht ai kishte në linjë Islamin dhe mandej, ndërsa edhe Islami dëgjonte, i telefonoi Genc Pollos. Evertsi i kërkoi Pollos të zmbrapste protestuesit nga godina. Pollo tha se do të përpiqej, por shtoi se ‘rebelimi popullor’ ishte tepër i vështirë për t’u kontrolluar. Ambasadori Everts iu përgjigj me zemërim se ‘Ky është një konfrontim i armatosur që duhet të ndalet. Në këto kushte nuk mund të bisedohet’. Për fat të mirë, pas pak protestuesit u tërhoqën.

 

Arratisja e Fatos Nanos

Mes gjithë kësaj rrëmuje, u vranë disa mbështetës të Berishës dhe u plagosën 14 të tjerë. Vetë Berisha mbeti i mbyllur në selinë e Partisë Demokratike deri vonë natën e së hënës. Për habinë e qeverisë dhe të huajve që ishin në Tiranë, nuk dihej vendndodhja e Fatos Nanos. Është e pabesueshme, por kryeministri kishte fikur telefonin celular dhe ishte zhdukur. Nanoja ishte gjendur krejtësisht i befasuar kur turma e PD-së iu turr zyrës së tij, ndaj dhe braktisi detyrën dhe shkoi drejt Maqedonisë ku gjeti strehë për disa ditë, duke lënë Presidentin Meidani të mbante barrën e shtetit. Meidani, me cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të forcave të armatosura, në mungesë të Nanos thirri forcat speciale për të bërë zap turmat e ndërkryera dhe të armatosura të Berishës si dhe për të vënë nën kontroll rrugët brenda kryeqytetit. Në mbrëmje vonë forcat qeveritare rifituan kontrollin në pozitat kyçe të zëna nga mbështetësit e Berishës në ditën e rrëmujshme të dhunës. Presidenti Meidani bëri një deklaratë në TV ku i bënte thirrje popullit për qetësi, ndërsa policisë i kërkoi të gjente sa më shpejt të ishte e mundur vrasësit e Hajdarit. Nga ana e saj, Ministria e Brendshme njoftoi se kishte caktuar një shumë prej 200 mijë dollarësh për informatorët që do të çonin në arrestimin e vrasësve.

Më 16 shtator situata ishte qetësuar në mënyrë të konsiderueshme. Qeveria kishte rifituar kontrollin e qendrës së qytetit, duke mposhtur mbështetësit e Berishës që ruanin selinë e PD-së me kallashnikovë dhe me dy tanke që ia rrëmbyen ushtrisë të hënën. Të dy tanket u dorëzuan pa çak pa bamp të martën vonë, ndërsa njerëzit e armatosur të Berishës ia kishin mbathur nga ndërtesa e PD-së para se të mbaronte afati që u ishte vënë për t’u larguar nga godina. Forcat speciale qëndruan mandej të ruanin selinë e PD-së dhe të arrestonin Berishën në rast se ai do të përpiqej të arratisej nga vendi. Por kreu i PD-së i tha CNN-it se ai ‘nuk do të largohej kurrë nga Shqipëria’. Në përfundim, tri ditët e dhunës patën si bilanc tetë të vdekur dhe rreth 100 të plagosur.

Kjo trazirë, e cila e zhyti Shqipërinë në krizën e dytë madhore vetën brenda 18 muajve, shkaktoi një alarm të dukshëm në qarqet ndërkombëtare. Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe të BE-së lëshuan një deklaratë të përbashkët ku dënohej dhuna dhe paralajmërohej se ata mund të ndërprisnin ndihmat ekonomike nëse binte qeveria. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, u kërkoi të gjitha palëve të kthenin paqen dhe qëndrueshmërinë në krejt vendin. E interesuar për stabilitetin e Shqipërisë, NATO-ja ishte e shqetësuar se mos rrënimi i mëtejshëm i ligjit dhe rendit në republikën politikisht të dobët mund të nxiste dhe përkeqësonte konfliktin në Kosovë. Greqia fqinje i frikësohej një përhapjeje të mundshme të dhunës në jug të Shqipërisë, ndaj dhe postat kufitare greke u vunë në gjendje gatishmërie të lartë. Gjatë dhunës mbështetësit e Berishës iu kishin vënë flakën tri bankave greke, përfshi dhe Bankën Kombëtare të Greqisë.

Në ditët pasardhëse u pa një përforcim i sigurisë në Tiranë, ndërsa forcat speciale të policisë të veshur në të zeza ngritën postblloqe për të peshkuar ndonjë makinë që ishte duke udhëtuar drejt Tiranës. Më 17 shtator Parlamenti nxitoi të miratonte një ligj që ia kalonte Ministrisë së Brendshme drejtpërdrejt varësinë e policisë ushtarake dhe komando nga varësia prej ushtrisë. Ky ligj i dha mundësi qeverisë për të mbajtur rendin pa ndihmën e ushtrisë. Pavarësisht nga këto lëvizje, qeveria mbetej e pasigurtë dhe e nervozuar. Në një përpjekje për të fituar mbështetjen e uniformave blu, kryeministri i vetmuar Nano nxitoi të dyfishonte rrogat e policëve. Nanoja, pasi u kthye nga udhëtimi i tij në panik në Maqedoni, fajësoi për dhunën bandat e Berishës, duke e quajtur atë ‘organizatorin kryesor të përpjekjes për grushtin e shtetit’. Por Berisha i shpërfilli akuzat ndaj tij duke i quajtur ato ‘qesharake’, ndërsa për trazirat tha se ishin ‘provokuar’ nga SHIK-u. Ai e quajti Fatos Nanon një ‘terrorist leninist’ dhe këmbënguli në dorëheqjen e Nanos dhe krijimin e një ‘qeverie teknike’ që të përgatiste zgjedhjet e reja. Në ditët në vazhdim, nja njëmijë mbështetës besnikë të Berishës e ndoqën atë në protestat e zakonshme nëpër rrugë. Përmes talljesh dhe fishkëllimash të qytetarëve spektatorë, turma e njerëzve të paguar e udhëhequr nga Berisha thërriste në mënyrë provokative rrugëve të Tiranës: ‘Vdekje Nanos! Vdekje komunizmit!’

(VIJON)

/gazeta "Dita"/