Brazil, 12 korrik 2014 – Kush mund ta dijë më mirë se Franc Bekenbauer se si mundet Argjentina në një finale Botërori? Asnjë. Për legjendën e futbollit gjerman nuk ka finale më të bukur në “Marakana” se Gjermani-Argjentinë. Një klasike, të cilën kajzeri e ka përjetuar në dy finale si trajner: Një me përfundim të hidhur në Meksiko 1986 (2-3) dhe një me përfundim të lumtur në Romë 1990. Në një intervistë ekskluzive për sajtin e federatës gjermane, Franc Bekenbauer sqaron favoritët e tij në finalen e madhe në “Marakana”, bën analizën mes skuadrës së Mesit dhe Maradonës si dhe argumenton paralelizmat mes kampionëve të tij në 1990-n dhe lojtarëve të Lëvit. Ai nxjerr në pah surprizimet e tij, si dhe arsyeton pse do e ndjekë nga televizori finalen dhe jo në stadium.

Z.Bekenbauer, Gjermania kundër Argjentinës, tri herë Kampionët e Botës përballë dy herë kampionëve, është për ju finalja e ëndrrave e Botërorit 2014?
S’ka finale më të bukur se kjo, pas perfeksionit Brazil- Gjermani, e cila do ishte klasikja absolute. Por, edhe Gjermani- Argjentinë është një klasike, një duel fantastik. Një sfidë me rivalitet të egër me histori të hershme. Kam përjetuar personalisht dy finale në 1986-n dhe 1990-n.

A prisni që finalja ditën e diel të jetë kulmi i këtij Botërori si nga ana sportive dhe futbollistike?
Finalja duhet të jetë gjithnjë kulmi dhe ndeshja më e bukur e një botërori. Në këtë kompeticion kemi parë shumë sfida të bukura, plot energji, dinamikë dhe goleada. Me ecurinë dhe atraktivitetin e dhuruar, me këtë Botëror jemi të gjithë të kënaqur. Tani duhen vënë pikat mbi “I”.

Kjo finale do ndikohet më shumë nga defensiva kompakte argjentinase apo efikasiteti gjerman mbrojtjeofensivë?
Filozofia e Argjentinës është e fokusuar rrënjësisht në mbrojtje. Por ata kanë në sulm lojtarë të rrezikshëm si Higuain dhe mjeshtrin e pasimeve Lionel Mesin, nga të cilët priten golat. Ata nuk do bëjnë gabimin e Brazilit duke pasur një mbrojtje të paorganizuar. Shpresoj që skuadra jonë të bëjë lojën e saj.

Si janë shanset?
Duke u bazuar te situatat dhe ecuria, të gjitha faktet flasin për Gjermaninë. Kemi avantazhin se u çlodhëm një ditë më shumë, nuk shkuam në shtesë me penallti. Prandaj, skuadra jonë është në superformë. Perfeksionin ata e treguan në gjysmëfinale ndaj Brazilit, por ndaj Argjentinës nuk pres të tregojnë keqardhje.

Pra, Gjermania është favoriti juaj në finale?
Patjetër, për çdo arsye. Ata kanë treguar klas dhe kanë bërë për vete jo vetëm mua, por gjithë botën e futbollit. Gjithashtu, unë nuk besoj se tifozët brazilianë do përkrahin Argjentinën. Së bashku me fansat tanë, kjo finale do na japë përshtypjen e një dueli brenda fushe si dhe e një ‘Marakana’- je gjermane. Kampioni i finales i Botës në Brazil do quhet… Gjermani.

Kundër Argjentinës, dëshmuat se keni luajtur dy finale si trajner. A mund të krahasohet Argjentina e sotme me ato të 1986-s dhe 1990-s?
Nga filozofia e lojës ngjasojnë shumë. Loja e tyre kompakte, dyluftimet dhe kundërsulmet nuk kanë ndryshim të madh. Në 1990-n ishte Gojgoeçea në portë, sot Romero, si një specialist i penalltive. Në sulm kanë qenë Buruçaka dhe Valdano njësoj të rrezikshëm si Higuain. Dhe si në ato vite dhe këtë herë Argjentina përfaqësohet nga një yll absolut futbolli në ofensivë.

Kjo do të thotë se ylli i sotëm Lionel Mesi luan rol vendimtar si Maradona në kohët e tij?
Ky krahasim është mjaft i përshtatshëm. Maradona ishte një lojtar absolut, mjaft i veçantë, ashtu si Mesi sot.

Në 1990-n ishte Guido Buhvald, çelësi dhe “rrjeta” ndaj Maradonës, i cili mori edhe pseudonimin “Diego”. Cili lojtar gjerman do mbajë emrin “Lionel” pas finales?
Ky markim nuk mund të ketë paralelizma direkte. Nëse Buhvald u përpoq ta peshkonte me grep Maradonën, Mesi do “peshkohet” me rrjeta. Khedira dhe Shvajshtaiger do jenë përgjegjësitë kryesorë. Edhe Kros, nëse do jetë afër tyre. Kjo do mjaftonte.

Një pyetje hipotetike, do ishte më mirë Holanda finaliste?
Jo. Rivaliteti gjermano-holandez mbart mjaft histori, por atmosfera do ishte mjaft agresive. Finalja reale ka një argument më shumë si nga interesi publik dhe sportiv për FIFA-n.

Në atë formë ishte e sigurt që thyhej tersi në organizatorët amerikanë. Në tokën e tyre s’ka fituar kurrë një skuadër europiane…
Fituesin ua thashë. Ne jemi më të shpejtë, më të lëvizshëm dhe më të palexueshëm në lojën kombinative. Ne kemi një vetëbesim, sigurisht pa tejkaluar euforinë. Ky është një art më vete, sepse një hap në drejtimin e gabuar do ndëshkohej nga arroganca. Lojtarët tanë janë seriozë dhe dinë të respektojnë kundërshtarin. Një tjetër armë është siguria dhe suksesi i portierit, i cili fiton duelin e penalltive.

Kjo atmosferë solide presidentit të federatës Nirsbah i kujton harmoninë e skuadrës suaj në 1990-n. Cili është vlerësimi juaj?
Kujtimet e 1990-s i kam para syve, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Kujtimet se si lojtarët e stolit kërcyen dhe përqafuan shokët e tyre në çerekfinale dhe gjysmëfinale ndaj Çekosllovakisë dhe Anglisë, janë mbresëlënëse. Kjo është evidentuar edhe sot, sidomos Mertezaker në dy ndeshjet e fundit. Sjellja e tij ka qenë prej kampioni. Në skuadrën tonë vlen parimi: Të gjithë për njëri-tjetrin.

Fitorja 7-1 ndaj Brazilit, ishte një eksploziv?
Nuk e prisja. Unë parashikova 2-0, sepse kisha besim të verbër te skuadra. Brazili bëri gabime trashanike dhe këtë gjë nuk e parashikova. Gjithashtu, Gjermania është e vetmja skuadër që ka pësuar ngritje progresive duke fituar simpatinë dhe statusin e një kombëtareje turneu.

Cili lojtar gjerman ju ka surprizuar më shumë?
Ai që ma ka imponuar respektin sepse nuk ka luajtur në pozicionin e tij është Benedikt Hëvedes. Ai luan si mbrojtës i majtë, të cilën nuk e ka luajtur kurrë në karrierë si dhe ka ofruar një paraqitje superiore. Ndërsa për të tjerët e prisja. Gjithashtu, më vjen mirë që bota u njoh me golashënuesin më të mirë, Klosen. Ai është një lojtar simpatik që përçon mirësi dhe profesionalizëm. I uroj të thyejë të gjitha rekordet e botës.

Në media ka pasur shumë kritika dhe vlerësime të ndryshme për trajnerin, për shkak të eksperimenteve me pozicionin e Lahmin dhe 4 qendërmbrojtësve. Cila është përshtypja juaj për trajnerin Lëv?
Mendoj se Lëv ka bërë një punë të shkëlqyer dhe ka të drejtë. Trajnerit i duhet besuar gjithçka. Ai sheh dhe analizon lojtarët çdo kohë nga mëngjesi në darkë. Spostimi i Lahmit në mesfushë ishte e saktë, sepse Khedira nuk ishte në formë në fillimet e tij. Më pas Samiu pësoi ngritje nga ndeshja në ndeshje. Tani kemi një mesfushë stabël me Shvajnshtaiger, Khedira dhe Kros. Më mirë se kaq s’kishte ku të shkonte. Kjo është edhe arsyeja pse Lahm u spostua. Fleksibiliteti ndihmon si trajnerin dhe lojtarët.

A do qëndrojë Lëv trajner i kombëtares, pavarësisht fatit të finales?
Kjo varet prej tij. Nëse ka dëshirë të qëndrojë në fushën e trajnerit, atëherë ai duhet të vazhdojë të mbajë këtë post. Është profesioni më i mirë në botë. Të jesh trajner i një federateje dhe kombëtareje kaq të mirë, është mëkat të mos vazhdosh. Edhe kombëtarja e moshave është mjaft premtuese.

Në triumfin e 1974-s, me ju kapiten, blloku bavarez luajti një rol të rëndësishëm. A do jenë Lahm, Nojer, Myler, Shvajnshtaiger dhe Boateng, baza dhe arsyeja më e fortë për ta fituar finalen?
Jam më se i bindur që do luajë rol vendimtar. Ka qenë një vendim totalisht i zgjuar dhe rezultativ që Lëv i besoi bllokut bavarez.

Toni Kros ka shumë mundësi të largohet te Reali. Çfarë do të thotë kjo për Bajernin?
Si president nderi i Bajernit më dhemb, kur skuadra humb një lojtar të klasit botëror. Por, nga ana tjetër, çdo lojtar e pret një jetë pas përfundimit të karrierës. Prandaj, një eksperiencë jashtë Gjermanisë, sidomos në një klub si Reali, s’ka të paguar.

Për herë të parë pas shumë kohësh, nuk do e përjetoni drejtpërdrejt një finale. Sa ju dhemb të mos jeni duke ndjekur Gjermaninë në “Marakana”?
Natyrisht që “Marakana” është një stadium i veçantë. Në 1968-ën e kam shkelur për herë të parë, duke zhvilluar një ndeshje mes yjesh dhe disa javë më vonë një miqësore me Brazilin. Dy ndeshje fantastike! Por, padrejtësia që m’u bë para disa ditësh më ka mërzitur shumë. Prandaj e mora këtë vendim. Nuk ma bëri zemra të fluturoja.

Çfarë ju prek më shumë për këtë finale?
Natyrisht që doja të isha në stadium. Nirsbah më telefonoi një ditë pas kualifikimit në finale dhe m’u lut të vija në Rio. I thashë që e kisha planifikuar ndryshe, sepse nuk doja të shihja me sy disa njerëz atje. E kam organizuar me familjen pranë televizorit, duke mbajtur veshur ngjyrat dhe çdo veshje tradicionale nga koka te këmbët.

Para se kombëtarja të niste misionin, u dhuruat djemve të Lëvit fanellën me mbishkrimet dhe firmat e legjendave, ndër ta, edhe ju. A u ka sjellë fat kjo fanellë kampionësh?
Në atë mbrëmje në Dyseldorf nënshkruam atë fanellë të bardhë për t’u dhënë atyre fat dhe i frymëzuar me të kaluarën e ndritur. Por, siç është prezantuar kombëtarja, ka nevojë vetëm për pak fat. Unë e di se sa vlerë ka çdo detaj në një kompeticion ndërkombëtar, ndaj ajo fanellë do u japë fatin e nevojshëm për të fituar kupën.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/