Durrës, 10 korrik 2014 – Në orët e para të mëngjesit të sotëm, efektivët e policisë së komisariatit të Durrësit kanë arrestuar një 59 vjeçare, që akuzohet se ka rrahur të bijën 29 vjeçare.

Grindja mes nënës dhe bijës ka nisur mbrëmjen e së mërkurës. Mësohet se 59 vjeçarja Zyra K. për motive të dobëta ka nisur të ushtrojë dhunë fizike ndaj së bijës.

Rrahja ka vijuar për disa minuta dhe më pas vajza ka rrëmbyer telefonin dhe ka njoftuar policinë.

Grupi i gatshëm ka mbërritur pas disa minutash dhe i ka shoqëruar të dy femrat në komisariat për të dhënë dëshmitë përkatëse.

Vajza 29 vjeçare ka treguar para forcave të rendit shenjat që i kishin ngelur në trup si pasojë e dhunës së ushtruar nga nëna e saj.

Në këto kushte, efektivët e rendit kanë arrestuar 59 vjeçaren Zyra K., e cila akuzohet për veprën penale “Dhunë në familje”.  

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/