Durrës, 7 korrik 2014 – Ndarja nga bashkëshortja e ka çuar drejt depresionit, madje i ka rrezikuar edhe jetën. Një i ri nga Durrësi, 28 vjeç, ka mbetur mjaft i lënduar nga ndarja me gruan e tij dhe në pamundësi për të pranuar realitetin ka tentuar pasditen e së dielës t’i japë fund jetës.

Mësohet se 28 vjeçari, në kushte depresive, ka konsumuar një sasi të konsiderueshme insekticidi dhe është dërguar me urgjencë nga familjarët e tij në urgjencën e Spitalit të Durrësit.

Meqë gjendja e të vetëhelmuarit paraqitej e rëndë, mjekët e kanë nisur drejt qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, për një mjekim më të specializuar.

Fatmirësisht, pas mjekimit 28 vjeçari e ka kaluar rrezikun për humbjen e jetës.  

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/