·        Sistemi informatik i regjistrimit do të gjurmojë barnat me  track-trace

·         Mjekëve e farmacistëve do t’u duhet të shkëpusin dhe minimizojnë lidhjet e krijuara në tregtimin e medikamenteve, ku mjeku bën rekomandimin për pacientët

DURRËS, 7 korrik 2014 –  Duke filluar nga dhjetori 2014, recetat në Durrës do të lëshohen në formë elektronike, Ministria e Shëndetësisë njofton se më 23 korrik 2014 do të zhvillojë tenderin për sistemin informatik të regjistrimit të recetave elektronike për projektin pilot të rrethit të Durrësit, që do të zbatohet në harkun e 5 muajve pas lidhjes së kontratës.

Marrëveshja kontraktuese mbi nivelin e shërbimit SLA (Service Level Agreement) fillon pas përfundimit të fazë së implementimit, dhe pas kolaudimit të sistemit.

Sipas ministrit të Shëndetësisë z. Ilir Beqaj, regjistrat elektronikë do të përmirësojnë cilësinë e ofrimit të shërbimit për pacientët dhe gjithashtu do të ndihmojnë në mënyrën e menaxhimit.

Me recetën elektronike fillon gjurmimi i barnave me  track-trace.

“Me përfshirjen e teknologjisë, tregu i medikamenteve do të jetë shumë më i kontrolluar, duke evidentuar në këtë mënyrë më lehtë abuzuesit”, thotë z. Beqaj.

PROJEKTI

Mbështetur në reformën në shërbimin farmaceutik, sipas projektit pilot, në recetën elektronike do të shënohen të gjitha të dhënat dhe do të ruhen në arkiv sipas ndarjes që do të bëhet nga sistemi, për çdo mjek, për çdo qendër shëndetësore.

Në këtë mënyrë nuk do të ketë më receta në formën e letrave, pa vulë, pa logon e institucionit, shpesh lëshuar në formën më të keqe, njësoj si letrat e bakallit.

Nuk do të shënohen më barnat me emrin e markës, produktit që sugjerohet zakonisht, por do të jepet substanca për t’ia lënë më pas në dorë vetë pacientit se çfarë prodhimi, çfarë çmimi dhe çfarë marke do të blejë.

Zinxhiri mes mjekëve dhe farmacive apo mjekëve dhe distributorëve të produkteve farmaceutike në vend do të ketë “tronditje”, për shkak të standardizimit, por edhe shënimit në rrjetin elektronik.

Receta që do të jepet, do të printohet dhe më pas do të firmoset dhe vuloset nga mjeku.

Ndër debatet më të rëndësishme vitet e fundit në sektorin e tregut të barnave ka qenë lëshimi i recetës nga mjeku.

Tregu i barnave pritet të pësojë ndryshime si sa i takon tregtimit të produkteve në farmaci, blerjes në spitale, listës së rimbursimit

Mjekëve e farmacistëve do t’u duhet të shkëpusin dhe minimizojnë lidhjet e krijuara në tregtimin e medikamenteve, ku mjeku bën rekomandimin për pacientët.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/