Brazil, 7 korrik 2014 – Bastian Schweinsteiger beson se Gjermania e ka potencialin për të mposhtur Brazilin në gjysmëfinale. 5-herë kampionët e Botës në sfidën me “Panzerat” përveç Neymar që është i dëmtuar, do të vuajnë edhe mungesën e kapitenit të skuadrës qendërmbrojtësit Thiago Silva, pasi ky i fundit ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe është i skualifikuar për duelin e Belo Horizontes. Sipas Shvajnit, Brazili nuk është më ajo kombëtare që dikur të shtinte frikën.

“Njerëzit i shohin brazilianët sikur të jenë magjistarët e futbollit. Megjithatë unë mendoj se gjërat kanë ndryshuar dhe kombëtarja aktuale luan një tjetër futboll nga skuadrat që kanë përfaqësuar Selesaon vite më parë. Gjithsesi duhet marrë në konsideratë fakti që edhe Brazili i sotëm është një ekip shumë i vështirë për t’u mundur. Në takimet e mëparshme ata kanë aplikuar një futboll të ashpër dhe këtë gjë duhet ta marrim në konsideratë ne por edhe arbitrat. Por pavarësisht kësaj unë mendoj se Gjermania është e aftë t’i mposhtë 5-herë kampionët e Botës”.

Në vijim një mendim i 29-vjeçarit shkoi për Neymar por edhe për Brazilin si skuadër.

“Të gjithë jemi të trishtuar që Neymar nuk do të mund të luajë. Gjëja më e bukur në futboll është që të gjithë futbollistët e mëdhenj të kenë mundësi të luajnë në ndeshje të mëdha. Por edhe pse nuk do të ketë lojtarin e tij më të mirë mendoj se Brazili do të zhvillojë një ndeshje pozitive dhe do të përpiqet të fitojë për Neymar. Ata kanë një ekip me shumë eksperiencë ndërkohë që nuk duhet harruar fakti që drejtohen nga një trajner i madh si Scolari”.

Ëndrra e çdo futbollisti është që gjatë karrierës së tij të ketë mundësi të fitojë të paktën një herë Kupën e Botës. Shvajni deri tani nuk e ka arritur diçka tillë, por a do të kjo mundësia e fundit për të?

“Jam 29 vjeç dhe mendoj se jam në një moshë të përshtatshme për të menduar se mund të luaj edhe një Botëror tjetër. Nëse gjërat shkojnë ashtu siç unë pres kam besim se do të marr pjesë edhe në Botërorin që do të zhvillohet në Rusi katër vite më vonë. Ideja për të fituar një ditë Kupën e Botës qëndron në mendjen e çdo futbollisti megjithatë momentalisht unë nuk mendoj për këtë fakt pasi jam i përqendruar vetëm te sfida me Brazilin”.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/