Durrës, 7 korrik 2014 – Teuta do te ketë edhe një ekip futbolli me femra që do të marrë pjesë në kampionatin kombëtar të futbollit për femra, madje pjesëmarrja e Teutës në këtë kampionat do të jetë që në këtë sezon, 2014-2015.

Lajmin e konfirmon trajneri i këtij ekipi Justin Bespalla, i cili ka qenë një lojtar i njohur i Teutës e më pas ka punuar me sukses edhe si trajner në disa ekipe. Bespalla shprehet se presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu ka ndërmarrë këtë inisiativë interesante, që Teuta të ketë krahas ekipit të meshkujve edhe ekipin e femrave. Megjithëse në hapat e para ky ekip do të fillojë sezonin me pretendime ashtu si edhe meshkujt.

“Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu më ngarkoi detyrën që të krijoj dhe të stërvis këtë ekip femrash në futboll. Është një sfidë e vështirë, por shumë e bukur dhe tashmë Teuta do të ketë edhe ekipin e vet të femrave. Kemi filluar menjëherë nga puna madje i bëj thirrje të gjitha atyre vajzave që e kanë pasion futbollin të vijnë pranë klubit të futbollit Teuta për të marrë pjesë në procesin e seleksionimit”,- thotë Bespalla.

Por krahas lojtareve të reja, Teuta pritet të ketë në përbërje të saj, edhe femra me eksperiencë në fushën e blertë.

“Ne si klub shumë shpejt presim 5 futbolliste kosovare, që tashmë kanë eksperiencë dhe do të jenë një përforcim mjaft i mirë për këtë ekip të ri. Ekipi do të kompletohet dhe do të fillojë menjëherë një minifazë përgatitore për të filluar sa më mirë sezonin e ri, ku ne synojmë që të paraqitemi sa më mirë dhe më në vazhdimësi të konsolidojmë ekipin dhe t’i japim Durrësit një ekip futbolli femrash me emrin Teuta, të fortë dhe pretendent ashtu siç është edhe ekipi i meshkujve”,- përfundon Bespalla.

Teuta do të konkurrojë në sezonin e ri në kampionatin kombëtar të futbollit për femra krahas ekipeve ekzistuese si Vllaznia (kampionia në fuqi), Ada, Juban Danja, The Door, Dardania, Kamza, Shkëndija Durrës, Tirana AS dhe Apolonia.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/