DURRËS, 6 korrik 2014 – Sicilianët kanë frikë se durrsakët do t’u “gllabërojnë” 400 vende punë të call center-it të Palermos.
Duhet bërë çmos që 4U Servizi, kompani e cila ka kontrata të rëndësishme të tilla si Sisal, 159 Wind dhe Premium, të mos mbyllë dyert për shkak të krizës së tregut dhe garës për shkurtime maksimale, shkruajnë mediet italiane, që u referohen deklaratave të përfaqësuesve të punonjësve.
Njoftimet për vërshimin në Durrës, Tiranë dhe Vlorë të investimeve italiane në biznesin e call center-ve për shkak të kostove të ulëta të fuqisë punëtore (shih: youtube.com/watch?v=xBbFcPZ9hUc, durreslajm.com/speciale/durres-flisni-italisht) kanë ngritur “temperaturën” e deklarimeve të organizatave sindikale në Apenine.
Pas alarmit të sindikatës më të madhe e më të vjetër si CGIL [Confederazione Generale Italiana del Lavoro – Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës] që i frikësohet transferimit të call center-ve në Shqipëri, ka dalë edhe sekretari rajonal i Sicilisë i UGL-së [Unione Generale del Lavoro – Unioni i Përgjithshëm i Punës] i Telekomunikacioneve Daniele Ruisi, i cili shpreh “shqetësim të thellë për punësimin e ardhshëm të më shumë se 400 të punonjësve të call center-it në Palermo”.
“Edhe për një kompani realisht të ndershme si 4U – thotë Ruisi – po bëhet gjithnjë e më i vërtetë fakti i zhvendosjes, deri më sot evituar nga menaxhimi i një sipërmarrësi mendjemprehtë dhe sinqerisht i përkushtuar për rritjen ekonomike të Sicilisë si Paolo Manfredi; u kërkojmë institucioneve kompetente të drejtojnë vëmendjen në gjendjen kritike me të cilën po përballet kompania, për shkak të kontratave të solidaritetit për të punësuarit”.
“Kërkojmë – nënvizoi Ruisi – që tema e transferimit progresiv të aktiviteteve jashtë vendit, në vende ku haku i punës është i lirë dhe nuk ka tutelë sindikale, të trajtohet seriozisht para se të ndodhë hemorragji e re e vendeve të punës: UGL-ja, që lufton kundër delokalizimit, një nga arsyet themelore të aksionit sindikal, përmend se delokalizimi është një fenomen mjaft i ndryshëm nga ndërkombëtarizimi, i cili është më tepër një pjesë integrale e procesit të rritjes së ndërmarrjeve në panoramën bashkëkohore”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





