Maqedoni, 6 korrik 2014 – Qindra protestues kanë dalë përsëri rrugëve të Shkupit, kësaj radhe në protesta të qeta. 

Forca të mëdha policore me autoblindë dhe autobote kanë bllokuar bulevardin pranë Qendrës Tregtare “Mavrovasja”, për të bërë të pamundur drejtimin e demonstruesve nga Qendra e Shkupit dhe Qeveria. 

Protestuesit demonstrojnë të qetë dhe me thirrje “Duam drejtësi” kundër vendimit të gjykatës për rastin “Monstra”.

Pas paralajmërimeve nëpër rrjetet sociale për mbështetje për rastin “Monstra” nga gjithë shqiptarët e Maqedonisë, qytetarët e Tetovës kane nisur rreth ores 14:00 një protesttë. Pas protestës së qetë në Qendër të Tetovës, janë nisur drejt selisë së BDI-së në Reçicë. Protesta të ngjashme mesohet se po zhvillohen ne disa qytete shqiptare te Maqedonise.

Pas protestave dramatike të cilat u zhvilluan të premten dhe të shtunën në Shkup, nëpër rrjetet sociale po shpërndahen ftesa për protesta që pritet të mbahen gjatë ditës së sotme, në shumicën e qyteteve të banuara me shqiptar.

Ambasada Amerikane, Zyra e Bashkimit Evropian, misionet e Natos dhe të OSBE-së në Shkup, përmes një komunikate të përbashkët theksojnë të drejtën për të protestuar në mënyrë të qetë dhe dënojnë sjelljet e dhunshme. 

Diplomatët perëndimorë bëjnë thirrje për dialog midis qytetarëve dhe politikanëve që do të rezultonte në qetësimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend.

/INA/