Pas kthimit nga Greqia, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të shtunë, më 25 prill, një takim me fermerët në Dibër. Ai shoqërohet nga ministri për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural Andis Salla.
Kjo vizitë zhvillohet në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”, ndërsa diskutimet fokusohen mbi rritjen e investimeve në bujqësi, lehtësitë e reja për mbështetjen e këtij sektori, ku duhet të arrihet një standard i përgjithshëm prodhimi për tregun e BE-së.
Një nga fermerët në këtë takim iu drejtua kryeministrit Edi Rama duke thënë se ka një lajm të mirë për të ndarë me të, krijimin e një Shoqërie të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB) të fermerëve dibranë dhe bashkisë.
“Jemi në fazën e regjistrimit në gjykatë të kooperativës për qershitë, bashkia është bashkuar si aksionere. Kemi gjetur ambientin e përshtatshëm dhe të gjithë bashkë me hapjen e fondeve të IPARD-it do të aplikojmë si SHBB për të fituar pajisje dhe materialet e nevojshme, jo vetëm për paketimin dhe eksportin e qershisë, por edhe përpunimin e qershisë.”, tha fermeri. SHBB-ja e re e mban emrin “Dibra Origin”.
Fjalën më pas e mori vetë kryeministri Edi Rama, i cili e konsideroi këtë një fazë kur Shqipëria është e detyruar të hyjë dhe theksoi se nuk bëhet fjalë për kooperativa të ngjashme me ata të kohës së komunizmit, por në nivel BE-je.
“Kemi hyrë në një fazë kur nuk jemi më të dëshiruar, por të detyruar të hyjmë, që është faza e bashkimit.“, tha Rama.
“Jo si kooperativat e dikurshme, por si kooperativat e Bashkimit Europian. BE funksionon me kooperativa, por ndryshe nga ato të komunizmit, secili prodhon më vete dhe të gjithë shesin bashkë. Duke shitur bashkë krijojnë një volum shumë më të madh. Kanë një pozitë negociuese shumë më të fortë me blerësit.”, tha kryeministri, i cili shpjegoi se me këtë model, fermerët ndajnë kostot e punimit të tokës, përkujdesjes për prodhimin dhe pastaj grumbullojnë, ambalazjojnë dhe shesin.
Ai tha se për këtë arsye, qeveria ka vendosur t’i mbështesë krijimet e SHBB-ve të reja.





