Tiranë, 2 korrik 2014 – Ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani ka prezantuar paraditen e së mërkurës prioritetet e Italisë gjatë drejtimit të presidencës së radhës së Bashkimit Evropian. 

Në fjalën e tij, diplomati italian ka theksuar se zgjerimi i Unionit do të jetë një nga prioritetet e vendit të tij, pasi është një proces që garanton më shumë paqe dhe stabilitet në Evropë. 

“Do t’i përkushtohemi zgjerimit të Bashkimit Evropian. Zgjerimi me Ballkanin perëndimor do të jetë pa dyshim një nga prioritetet tona. Ky proces është një mjet për paqen në Evropë dhe garanci për mirëqënie”, ka deklaruar Gaiani. 

Në këtë drejtim, ambasadori italian ka vlerësuar se, vizita e paralajmëruar e kryeministrit Rama në Beograd është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin evropian. 

Më tej, ai ka shtuar se prioritet do të jetë edhe nxitja e projekteve për punësimin, duke theksuar se Italia do të punojë për ndërtimin e një Evrope të bazuar në parimet e një ekonomie të qëndrueshme.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/