Tiranë, 30 qershor 2014 – Projektligji i ri i përgatitur nga qeveria i jep të drejtë Byrosë së Hetimit të përgjojë dhe vëzhgojë pa marrë më parë urdhrin nga prokurori. Drafti i miratuar në Këshillin e Ministrave dhe që prej disa ditësh ndodhet në Parlament, parashikon për herë të parë ngritjen e një strukture e cila do të varet nga Ministri i Brendshëm.

Në nenin 26 të draftit që do të shqyrtohet në javët e ardhshme edhe në Komisionin e Ligjeve, përcaktohet e drejta e punonjësve të Byrosë Kombëtare të hetimit të kryejnë veprimtari gjurmuese dhe hetimore. Kjo do të thotë se këta punonjës nuk kanë detyrimin të marrin, siç ndodh aktualisht me forcat e Policisë, urdhrin nga prokurori për të përgjuar, vëzhguar apo mbledhur të dhëna për personin që kanë nën kontroll.

“Byroja Kombëtare e Hetimit është strukturë e veçantë e Policisë së Shtetit. Kjo strukturë kryen veprimtari gjurmuese dhe hetimore, në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural penal, për veprat penale në fushën e korrupsionit dhe veprimtarinë kriminale të lidhur me të”,- thuhet në nenin 26 të këtij projektligji.