Durrës, 30 qershor 2014 – Rezultatet e sivjetshme të maturës shtetërore nxorën në pah mangësitë në sistemin arsimor, sidomos atë privat.

Rasti më ekstrem është ai i një shkolle private në Durrës, maturantët e të cilës kanë dalë të gjithë ngelës në provimin e maturës shtetërore.

Siç raporton Vizion Plus, në shkollën “Talenti”, të 284 maturantet, disa të ditës dhe pjesa tjetër me korrespodencë, nuk kane arritur të kalojnë në provimin e matematikës.

Të shokuar nga ky rezultat me 100 % mbetës, krerë të Ministrisë së Arsimit deklarojnë rishikimin e licencave të shkollave private dhe veçanërisht atyre me korrespodencë.  

Drejtuesit e kësaj shkolle private me sistem dite dhe korrespodence nuk kanë preferuar të komentojnë këto rezultate.

Ky institucion arsimor me cikle studimi nga niveli parashkollor deri tek arsimi i lartë, ka gjashtë vite që funksionon.

Vendosja për herë të parë e pragut të pikëve para provimit të maturës, nxori në pah jo cilësinë e dobët të diplomave kryesisht në shkollat private, por dhe nivelin e mësuesve.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/