Pakistan, 29 qershor 2014 – U pritet koka në publik, sepse ishin martuar me dashuri. Ky është fundi tragjik i një çifti të ri në Pakistan, që është ekzekutuar nga familjarët e vajzës.
Mediat lokale pakistaneze raportojnë se krimi për nder u realizua nga babai i vajzës dhe të afërmit e saj.
Ata e morën çiftin në shtëpinë ku banonte dhe pasi i hipën me forcë në një furgon, i dërguan në fshat.
Muafia Bibi, 17 vjeç dhe Sajjad Ahmed, 31 vjeç gjetën vdekjen, pas prerjes së kokës me sëpatë në një vend publik. Ndërkohë, po në Pakistan, një vajzë e re u spërkat me benzinë dhe iu vu flaka nga familjarët e saj, pasi nuk pranoi martesën me mblesëri të rregulluar nga prindërit e saj.
Sipas të dhënave të organizatave jo qeveritare për të drejtat e njeriut, në Pakistan janë ekzekutuar 869 krime për nder, por mendohet se shifra nuk tregon përmasat reale të këtij fenomeni, pasi shpesh familjet e viktimave nuk kanë kurajo të denoncojnë këto akte të frikshme.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





