Tiranë, 29 qershor 2014 – Brenda 6 muajve krimi i ka marrë jetën 13 personave mes tyre 11 sipërmarrësve, ku vrasjet mafioze dhe pa autor nisin me shpërthimin e automjetit të një biznesmeni ndërtimesh dhe përfundojnë me ekzekutimin e bankierit Artan Santo 4 ditë më parë.
Biznesmeni 58 vjecar është viktima e fundit e serisë së eleminimeve mafioze, ndërsa deri më tani të gjitha vrasjet kanë mbetur pa autor. Artan Santo sapo kishte dalë nga banesa për në zyrat e bankës që drejtonte. Më 26 qershor biznesmeni ndiqej prej më shumë se 40 minutash nga vrasësit të cilët lëvznin me motor. Sapo 58 vjecari zbriti nga automjeti i tij atentatorët qëlluan tre herë mbi biznesmenin, i cili mbeti i vdekur në vend. Edhe pse u ndoqën nga një efektiv i policisë rrugore vrasësit mundën të iknin pa lënë asnjë gjurmë.
Sipari i vrasjeve mafioze për këtë vit nisi më 17 janar. Një atentat i mirëorganizuar i mori jetën një tjetër biznesmeni në kryeqytet. Larjet e hesapeve, për biznesin e kromit në Bulqizë, dyshohen të jenë shkaku i vrasjes, që ndodhi në afërsi të tregut elektrik në kryeqytet. Hasan Talja 42 vjeç, u qëllua disa herë përpara banesës së tij me pistoletë. Kalimtarë të rastit e dërguan atë menjëherë drejt spitalit, por 42-vjeçari nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të rënda.
Një javë më pas, më 23 janar një atentat me eksploziv i mori jetën biznesmenit të ndërtimit në Durrës, Xhemal Çela. Biznesmeni udhëtonte me mjetin e tij në zonën e plazhit, kur një sasi e konsiderueshme eksplozivi hodhi në erë mjetin. Çela u dërgua në gjendje të rëndë në spital, ndërsa humbi jetën një ditë më pas si pasojë e plagëve të marra.
Një muaj më pas, më 27 shkurt, një 53 vjecar biznesmen i fidanishteve u gjet i vrarë në zonën e liqenit artificial në Tiranë. Lutfi Peti ishte goditur disa herë me sende të forta brenda automjetit të tij, ndërsa policia tha se nuk ka një pistë të saktë të motiveve edhe pse u kominikua se ai mund të ketë rënë viktimë e ndonjë grabitjeje.
Vetëm pak orë më pas një shpërthim i telekomanduar i mori jetën një tjetër biznesmeni në zonën e Vorës. Baki Xhabafti humbi jetën pas shpërthimit të automjetit të tij Renault vetëm pak metra pasi biznesmeni i një servisi automjetesh në Vorë kishte hipur në makinë. Një nga pistat e hetimit vazhdon të mbetet edhe ajo biznesit te tij, por më kryesorja, sipas policisë së kryeqytetit është ajo e hakmarrjes.
Vrasja e radhës u regjistrua në Shkodër, ku biznesmeni i duhanit Ndue Cini u qëllua fare pranë banesës së tij mbrëmjen e 20 marsit. Policia tha se atentati dyshohej të ishte bërë nga vrasës me pagesë, ndërsa biznesmeni ndërroi jetë në spital.
Më 4 prill dy persona u ekzekutuan me armë zjarri në Urën e Tapizës në Fushë-Krujë. Policia bëri të ditur se viktimat janë Gjin Nika aksioner i galerive të kromit në Bulqizë si dhe një miku i tij Fabio Xhunga. Nika dhe Xhunga po udhetonin me motor ne drejtim te Tiranes dhe autoret i kishin zene prite tek Ura e Tapizes. Ata u qelluan me bresheri automatiku pa asnje mundesi shpetimi.
Më 25 prill pas një konflikti mbeti i vrarë pronari i një lokali në zonën e ish bllokut ne Tiranë. Ariel Zanka u qëllua pas një debate mes disa personave për një borxh të pashlyer, të cilët pas sherrit me fjalë qëlluan mbi 36 vjeçarin duke e lënë të vdekur në vend.
Një muaj më pas më 8 maj një biznesmen nga Berati u ekzekutua me automatik në hyrje të qytetit. Biznesmeni 52-vjeçar, Artur Mustafaraj, u qëllua me breshëri plumbash në afërsi të Kombinatit në qytetin e Beratit. Policia tha se atentatorët i kishin zënë pritë 52 vjeçarit dhe e qëlluan për vdekje në momentin, kur Mustafaraj hipi në automjetin e tij.
Më 16 maj u ekzekutua pronari i një linje dyqanesh hidrosanitare në qytetin e Fierit. Agron Ymeraj u qëllua për vdekje në një parkim privat te vendi i quajtur ish-Mapot pranë xhamisë vetëm 50 metra larg nga pallati ku banonte ndërsa sipas policisë ngjarja kishte si motiv gjakmarrjen.
Më 1 qershor një tjetër person mbeti i vrarë në Tiranë.Viktima Viktor Skeja, ish drejtor i Cez Shpërndarje për qytetin e Laçit, sapo kishte hipur në automjetin e tij në rrugën “Riza Cerova”, kur persona të armatosur ende të paidentifikuar e qëlluan me breshëri automatiku dhe u larguan me motor.
Më 14 qershor Kujtim Dyrmishi u qëllua nga persona të maskuar në zonën e plazhit. 49-vjeçari, ortak i Xhemal Çelës në biznesin e ndërtimit, u qëllua me breshëri automatiku në zonën e plazhit, kur sapo kishte hipur në automjetin e tij. Vrasësit e maskuar e pritën që ai të hyjë në makinë, pasi doli nga një dyqan dhe e goditën nga xhami i përparmë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





