Brazil, 29 qershor 2014  – Botërori ka përfunduar për kombëtaren italiane, por nga Brazili nuk kanë të sosur lajmet që vijnë për të kaltrit. Eliminimi nxori në pah shumë anë të errëta, duke filluar nga përçarja e grupit dhe deri te problemet e lojtarëve me trajnerin, që e detyruan këtë të fundit të tërhiqej. Mirëpo nuk përfundon me kaq. Pas një inspektimi të bërë nga ana e një gazetari brazilian, zbulohen fakte të reja që konfirmojnë kolapsin total. 

Ai ka “gërmuar” për të kuptuar më në brendësi problemin e Italisë dhe ka siguruar deponimin e një kameriereje, e cila u ka shërbyer të kaltërve në resortin ku ishin të grumbulluar. Sipas saj, menjëherë pas përfundimit të stërvitjes skuadra shkonte në plazh, ku qëndronte deri në orët e vona. Në Mangaratiba italianët organizonin festa mes tyre dhe merrnin arka me pije freskuese, alkoolike, si dhe dëgjonin muzikë. 

Gjithashtu ata laheshin në vaskë deri në orët e vona të mbrëmjes. Të gjithë dukeshin shumë entuziastë dhe shkëmbenin batuta mes tyre. Kamerierja rrëfen se si italianët, më shumë se një skuadër futbolli, dukeshin si një grup turistësh, që kishin ardhur në Brazil vetëm për t’u dëfryer. 

Duke qenë se personelit të shërbimit u ishte ndalur rreptësishtë komunikimi me organet e shtypit, gazeta braziliane e mban të fshehtë identitetin e njeriut që ka folur me ta. Më pas kamerierja që ka rrëfyer bëmat e italianëve, nuk kishte si të mos ndalej edhe te lojtari i tyre më problematik: Mario Baloteli, për të cilin ka thënë shprehur: “Mario njëherë pati një problem me personat e sigurisë, sepse një nga rojet i tha që të mos largohej shumë nga resorti, por ai ju kthye me tone aspak të qeta. Ai donte të largohej, sepse i druhej faktit që mund ta shikonin teksa po pinte një cigare, veprim që e bënte shpesh”.