Tiranë, 29 qershor 2014 – Gazeta “Panorama” zbardh detaje nga projektligji i qeverisë që parashikon takse të re për automjetet, edhe për celularët. Të gjithë ata që kanë në pronësi një automjet, u shtohet një taksë e re që do të paguhet bashkë me taksën e qarkullimit.
Ndryshimet e bëra në ligjin “Për taksat vendore”, që ka mbërritur në Kuvend, përveçse bëjnë disa përshtatje për sistemin e-taxation, përcaktojnë detyrime të reja për qytetarët.
Efekti i dy taksave shtesë për makinat dhe telefonat llogaritet 6 milionë dollarë. Nga taksa përjashtohen disa kategori si: të verbërit, personat me aftësi të kufizuar dhe veteranët.
Taksa e qarkullimit që paguan çdo mjet llogaritet në bazë të formulës së miratuar në ligj, që përfshin vjetërsinë e makinës, fuqinë motorike dhe llojin e karburantit që përdor. Për çdo mjet kjo taksë është specifike, por në fund asaj do t’i shtohet edhe një vlerë prej 1000 lekësh, që është taksa e re e propozuar nga Financat me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Pronarët e mjeteve motorike do të kryejnë pagesën në masën 1000 lekë në vit për çdo autoveturë, si dhe 1500 lekë në vit për automjetet e tjera me gjatësi aksi, numër vendesh dhe tonazh më të madh. Kjo pagesë është e detyrueshme të bëhet së bashku me pagesën e taksës së qarkullimit”,- thuhet në projektligj.
Për ata që nuk paguajnë në kohë taksën, do të aplikohet gjobë në masën 5 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25 për qind për çdo vit. Këto para do të shkojnë për fondin e “Urgjencës mjekësore”.





