Brazil, 29 qershor 2014 – Është Kolumbia realiteti më i bukur i Botërorit të Botërorëve. Falë një talenti të padiskutueshëm si James Rodriguez skuadra e drejtuar nga argjentinasi Jose Pekerman mposhti 2-0 Uruguain dhe u kualifikua për të parën herë në histori në çerekfinalet e një Kupe Bote. Nuk mund ta fshehë gëzimin numri 1 i stolit të Los Cafeteros teksa deklaroi se puna e madhe që ka bërë skuadra u shpërblye me këtë kualifikim historik.“E dinim shumë mirë se kë do të kishim përballë. Uruguai është një skuadër shumë e vështirë që drejtohet nga një trajner i madh. Dua të uroj të gjithë popullin kolumbian për këtë kualifikim historik të skuadrës. Ata e meritojnë një gëzim të tillë dhe jam i lumtur që diçka të tillë kombëtarja e tyre e arriti me mua në drejtim. Puna e bërë nga ekipi gjatë këtyre viteve të fundit dha rezultat”.
Më pas një mendim i Pekerman për lojtarin më të mirë të fazës së grupeve të Botërorit si dhe autorin e dy golave në takimin me Uruguain mesfushorin James Rodriguez.
“Në sfidën me Uruguain James ishte thjesht i jashtëzakonshëm. Ai ka një potencial shumë të madh dhe është një futbollist shumë i rëndësishëm për ekipin tonë. Unë kurrë nuk kam patur dyshime se ky do të ishte Botërori i James Rodriguez”.
Nga pala humbëse trajneri Oscar Tabarez pranoi disfatën dhe në të njëjtën kohë përgëzoi Kolumbinë për fitoren.
“I njihnim që përpara kësaj sfide cilësitë e mëdha që ka Kolumbia si ekip. Ata u treguan më racionalë se ne dhe unë mendoj se e merituan fitoren. Deri në momentin e zhbllokimit të rezultatit ndeshja ishte në baraspeshë të plotë, megjithatë ajo perlë e Rodriguez ishte një goditje e rëndë për ne. Duhet ta pranojmë humbjen dhe nga ana tjetër të përgëzojmë Kolumbinë për suksesin si dhe tu urojmë atyre fat pasi mbi të gjitha janë një skuadër nga Amerika e Jugut”.
Pak ditë më parë, jo rastësisht FIFA e shpalli lojtarin më të mirë të fazës së grupeve, ndërsa pak orë më vonë ai shënoi një dygolësh jetik për Kolumbinë ku perla e parë me shumë mundësi do të jetë edhe më e bukura e këtij Botërori. Një mbrëmje magjike për një djalosh që vetëm një sezon më parë tërhoqi vëmendjen për transferimin e papritur te Monaco për rreth 40 milionë Euro.
Në njëfarë mënyre, James është version kolumbian i Luis Suarez, por këtu nuk duhet ta teprojmë me krahasimin, pasi po flasim për dy lojtarë të ngjashëm në fushën e lojës dhe jo për gjestet e kanibalizmit që kanë shënjuar karrierën e uruguaianit. Rodriguez është vetëm 22 vjeç dhe talenti në këmbët e tij është më shumicë, madje zërat për një transferim të mundshëm të tij në Spanjë te njëri prej dy gjigantëve iberikë kanë nisur të qarkullojnë. Kolumbia është me meritë në çerekfinale, por në këtë fazë gjërat bëhen serioze dhe James Rodriguez duhet ta testojë talentin e tij edhe në sfida me peshë historike si ajo me Brazilin dhe për më tepër, ballë për ballë me një tjetër talent, Neymar Jr.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





