Tiranë, 28 qershor 2014 – Marrja e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Europian ndau sërish politikën shqiptare, që e festoi këtë arritje me dy aktivitete të ndryshme. Kështu, në Pallatin e Brigadave, rreth 20:00 nisi kremtimi nga ana e qeverisë. Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha organizoi një aktivitet festiv në natyrë, pranë Liqenit Artificial në Tiranë. 

Përveç Kryeministrit Edi Rama, të pranishëm në ceremoni tek Pallati i Brigadave janë politikanë, ambasadorë, përfaqësues të medias, artit e shumë sferave të tjera. 

Ditën e marrjes së statusit, në datën 24 qershor, kryeministri Rama i dërgoi një ftesë publike edhe ish kryeministrit Berisha, për të qenë i pranishëm në festën e sotme, por Berisha iu bashkua festës së organizuar nga Bashkia e Tiranës pranë Amfiteatrit të Liqenit Artificial. 

Kjo është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët, për të gjithë ata që sakrifikuan edhe jetën për Shqipërinë evropiane, dhe të lirive të drejtat të njeriut.”-kështu deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha gjatë fjalës së tij në hapjen e koncertit festiv për statusin. Sipas Bashës, një meritë e veçantë i shkon dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili dha një kontribut të veçantë për marrjen e statusit kandidat.

Më tej Basha ka theksuar se: “Dua ti shpreh mirënjohje dhe Bashkimit Evropian, duke përmbushur këto kritere, pavarësisht peripecive. Dua ta mbyll me domethënien e këtij mesazhi për të gjithë ne. Rruga s’ka mbaruar, një pjesë e rëndësishme e saj është para nesh,. Ndaj për vlerat që BE parashtron sot, ka një pjesë të madhe të qytetarëve shqiptar, ka treguar me vlera se do bëj gjithçka, për ti çuar këto standarde përpara, në emër të Shqipërisë, rinisë, vizionit të saj, përpara. Uroj ta shijojmë këtë ngjarje festive.”

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/