Tiranë, 28 qershor 2014  –  Për kreun e Policisë së Tiranës Ardian Çipa, fakti që dy autorët që ekzekutuan dy ditë më parë bankierin Artan Santo, arritën të dilnin nga Tirana me motorin e krimit , nuk është aspak për mungesë të gadishmërisë së policisë, por se krimi ishte i mirëorganizuar.

Në një konferencë të posaçme për vrasjen e biznesmenit dhe botuesit të njohur Artan Santo, drejtori i Policisë së Tiranës tha se polici i cili ndodhej në kryqëzimin pranë bankës Credins në zonën e ish-bllokut ku dhe u qëllua për vdekje Santo, i ndoqi autorët pas krimit, por i humbi ata pranë Komunës së Parisit. Kjo sipas Çipës, ndodhi jo për shkak të angazhimit të policisë, por se ngjarja ishte e mirëpërgatitur nga autorët.

Çipa tha se bankieri Artan Santo, drejtues i bankës Credins prej vitesh, nuk ka pasur problem dhe s’ka pasur asnjë njoftim se mund të rrezikohej jeta e tij. 

“Po hetojmë intensivisht gjithë aktivitetin e viktimës. Ngjarja ka qenë e parapërgatitur dhe e mirëmenduar nga autorët. Nuk ka pasur asnjë problem dhe nuk ka patur njoftime se mund të rrezikohej jeta e tij.”– deklaroi Çipa. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/