Tiranë, 28 qershor 2014 – Dy kushërinjtë nga Lezha Bledar dhe Kreshnik Tushaj të cilët ishin ndaluar nga policia në kuadër të hetimeve për vrasjen e bankierit, Artan Santo janë lënë të lirë.

Emrat dy kushërinjve dolën gjatë marrjes në pyetje të pronarit të motorit, por edhe të pronarit të servisit ku dyshohet se u modifikua motori me të cilën lëvizën vrasësit e Santos mëngjesin e 25 qershorit, ditë kur ndodhi ekzekutimi.

Ata janë marrë në pyetje prej orëve të para të mëngjesit të djeshëm por më pas janë lënë të lirë në orët e vona të mbrëmjes.

Gjatë ditës së djeshme policia ka verifikuar katër motorë të ndryshëm që ngjajnë në madhësi dhe model me motorin e përdorur nga autorët e ngjarjes. Pas verifikimeve është konkluduar se asnjëri prej tyre nuk është mjeti i vrasësve të bankierit.

Dyshimet se dy kushërinjtë nga Lezha mund të kishin lidhje me krimin u shtuan më shumë kur u mësua se njëri prej tyre Bledar Tushaj është djali i Gjok Tushajt, i cili ishte akuzuar për plagosjen e një shtetasi nga Azerbajxhani e dy durrsakë në vitin 2010, pas një konflikti që një ortak i Tushajt kishte pasur pas blerjes së një kompanie të njohur në Shqipëri.

Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit në datën 3 gusht 2012 ka arritur që nëpërmjet një vendimi të Gjykatës së Tiranës të sekuestrojë një shumë prej 75 milionë eurosh në bankën “Credins” që administrohej nga Artan Santo.

Kjo masë sekuestrimi është vendosur për shkak të një garancie që biznesmeni ortak i Tushajt kishte vendosur në këtë bankë gjatë kohës kur ka arritur të marrë në Azerbajxhan paratë për blerjen e kompanisë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/