Tiranë, 28 qershor 2014  – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani uron të gjithë besimtarët myslimanë për muajin e Ramazanit. "Me përulje, respekt dhe dashuri, për secilin mysliman dhe secilin shqiptar, ju uroj me gjithë shpirt: Gëzuar Muajin e Ramazanit, Muajin e Shenjtë të mëshirës, tolerancës, mirënjohjes, faljes, shpëtimit, pastrimit material dhe reflektimit shpirtëror!”- thuhet në mesazhin e Presidentit. 

“Këtë Muaj kur e mira afrohet, shtohet, e keqja largohet dhe zvogëlohet, na jepet rasti për të parë thellë dhe kthjellët brenda vetes; çfarë na e turbullon gjakun, çfarë na e trondit zemrën, ku i kemi gabimet që t’i ndreqim, ku i kemi të mirat që t’i shtojmë, ku e kemi dashurinë që ta ruajmë, ku e kemi urrejtjen që ta flakim, dhe gjithashtu kalitim durimin, afrohemi, mëshirojmë njëri-tjetrin, qartësojmë mendjen, lehtësojmë trupin, shenjtërojmë Shpirtin por, mbi të gjitha, afrohemi me Zotin. Ramazan të lehtë myslimanëve, dhe gjithë të tjerëve!"-përfundon mesazhi i kreut të shtetit. 

Nga sot besimtaret myslimanë në të gjithë botën dhe në Shqipëri kanë nisur agjërimin e muajit të Ramazanit, një detyrim sublim ky për çdo besimtar të rritur që beson në Islam, i cili pranon sakrificën në shenjë devotshmërie ndaj Zotit. 

Por, krahas besimtarëve praktikant që falen pesë vakte në ditë e që mbajnë rregullisht Ramazan ka dhe një tjetër kategori besimtarësh jopraktikantë të cilët veçanërisht në ditë të tilla kërkojnë ti bashkohen ritit te agjërimit. 

Në përfundim të këtij muaji, myslimanët anekënd botës festojnë festën Bajramit te Madh.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/