Tiranë, 25 qershor 2014 – Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar një ditë më parë transferimin e prokurorit të Durrësit, Elvin Gokaj, në Prokurorinë e Apelit në Shkodër. Me këtë transferim, prokurori Gokaj kthehet në qytetin e tij të lindjes pasi mbajti postin e prokurorit të rrethit Elbasan dhe prokurorit në qytetin bregdetar.
Krahas dekretimit për emërimin e Gokajt, Kreu i Shtetit ka dekretuar edhe 7 emërime të tjera. Ndryshimet në institucionin e Prokurorisë janë kërkuar nga kreu i saj, Adriatik Llalla. Kërkesa i kishte shkuar presidentit Bujar Nishani prej ditësh dhe dje Presidenca konfirmoi dekretimin e tyre pas propozimit të Prokurorit të Përgjithshëm.
Në dekretet e miratuara nga Presidenti Nishani bien në sy emrat e Kosta Belurit, ish-drejtues në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por edhe në atë të Tiranës, i cili prej ditës së djeshme është dekretuar prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme me kërkesë të Llallës. Në dekretime vihet re se 4 prej emërimeve vijnë nga Policia Gjyqësore. Artur Ismailukaj, Arben Allajbeu, Erind Rehovica dhe Kledian Llaho, kanë shërbyer respektivisht si oficer policie gjyqësore në rrethet e Vlorës, Tropojës dhe Beratit, ndërsa janë ngjitur një shkallë më lart, duke u emëruar prokurorë në këto rrethe.
Këto dekretime vijnë menjëherë pas zgjedhjeve të fundit në Këshillin e Prokurorisë dhe pas disa lëvizjeve që kryeprokurori Llalla kishte bërë më parë në Njësitë e Task-Forcës në qendër dhe rrethe. Nuk jepen detaje se cilët kanë zëvendësuar apo se nga kush prokurorë janë zëvendësuar 8 prokurorët e djeshëm.
Dekretet e djeshme të Presidentit:
Kosta Beluri, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, ishte tek Krimet e Rënda
Arben Qose, prokuror në Prokurorinë e Apelit Tiranë, ishte tek Prokuroria e Tiranës
Elvin Gokaj, prokuror në Prokurorinë e Apelit Shkodër, ishte prokuror në Durrës
Kleanth Zeka, prokuror në Prokurorinë e Apelit Vlore, ishte prokuror po në Vlorë
Artur Ismailukaj, prokuror në Prokurorinë Tropojë, ishte oficer i Policisë Gjyqësore
Arben Allajbeu, prokuror në Prokurorinë Berat, ishte oficer i Policisë Gjyqësore
Erind Rehovica, prokuror në Prokurorinë Vlorë, ishte oficer i Policisë Gjyqësore
Kledian Llaho, prokuror në Prokurorinë Vlorë, ishte oficer i Policisë Gjyqësore
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





