Durrës, 24 qershor 2014 – Donin të lëviznin në rrugët e Durrësit pa patentë,  por tashmë u duhet të qëndrojnë pas hekurave, të paktën për 10 ditë.

5 të rinj durrsakë, nga të cilët 2 adoleshentë, janë kapur nga efektivët e rrugores dhe shërbimet e policisë së qytetit bregdetar, ndërsa qarkullonin me automjete apo motorçikleta pa leje drejtimi.

Megjithëse efektivët e rendit po tregohen mjaft të rreptë me shkelësit e Kodit Rrugor, sërish të rinjtë durrsakë vazhdojnë të shkelin rregulloren dhe drejtojnë automjetet pa patentë.

Tre ditët e fundit policia ka arrestuar 3 prej tyre:

1.     Eduart Gjoni, 24 vjeç, u kap në lagjen nr.18 duke drejtuar motocikletën tip “Honda” me targa AA636 pa qenë i pajisur me dëshmi aftësie.

2.     Aldo Kaçorri, 19 vjeç u kap në zonën e Currilave duke drejtuar një motocikletë Kavasaki pa targa, pa qenë i pajisur me leje drejtimi.

3.     Emiljano Vila, 22 vjeç u kap në afërsi të “Mauzoleumit të Dëshmorëve” duke drejtuar një motocikletë Peugeot pa targa, pa qenë i pajisur me leje drejtimi.
Materialet proceduriale të dy rasteve iu kaluan Prokurorisë Durrës për veprën penale “Drejtim i mjeteve motorrike pa dëshmi”.

Ndërkohë policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për dy adoleshentë: A.P., 15 vjeç, nga Durrësi dhe I.Z., 17 vjeç nga Shijaku pasi janë kapur duke drejtuar dy automjete tip Benz pa qenë të pajisur me patentë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/