Tiranë, 24 qershor 2014 – Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë të posaçme pak minuta pasi u bë i ditur vendimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, për ti dhënë statusin Shqipërisë. Hapja e kësaj drite jeshile u lexua nga Rama si një shenjë e qartë për drejtimin që merr tashmë rruga e Shqipërisë në BE. 

“Nga sot ka më shumë shpresë e perspektivë për shqiptarët. Unë shpresoj që të gjithë së bashku mund ti gëzohemi këtij momenti, nuk është fundi i rrugës sonë drejt anëtarësimit të plotë, por një hap i rëndësishëm përgjatë kësaj rruge. Është një shenjë shumë e qartë për drejtimin e rrugëtimit tonë, që nga sot ka më shumë shpresë dhe perspektivë për të gjithë shqiptarët kudo që janë jo vetëm në Shqipëri", tha Rama.

“Vula mbi këtë vendim do vendoset në Këshillin Europian pas pak ditësh, atëherë do adresojmë në mënyrë më të plotë gjithë kënaqësinë dhe referimet. Sot dua të falënderoj kolegët e mi, skuadrën time për gjithë punën jashtëzakonisht intensive dhe të spikatur që kanë bërë për të arritur këtu. E dini të gjithë se nuk ka qenë e lehtë për detyrat tona të shtëpisë por edhe më e ndërlikuar pasi vetë Europa është më e ndërlikuar”, tha Rama më tej.

Sipas tij në dhjetor statusi u refuzua për të marrë më shumë siguri nga Shqipëria por edhe për faktin se priteshin zgjedhjet në Europë. 
“Këtë betejë e fituam me meritë. E dinim që në fillim se duhej një ndryshim i fortë për të përçuar një mesazh të fortë”, thotë Rama. 

Kreu i qeverisë falënderoi më tej skuadrën e tij dhe të gjithë aleatët dhe mbështetësit ndërkombëtarë që ishin në krah të Shqipërisë. Siç tha, kryeministri, Europa nuk ishte një derë e lehtë për tu hapur, por ajo s’mund të kuptohet pa Shqipërinë. 

“Nuk ka qënë punë e lehtë, Europa nuk është derë e lehtë për tu hapur, pas zgjedhjeve gjerat mund të shkonin edhe në një drejtim krejt tjetër. Arsyeja pse iu jam mirënjohës liderëve europianë nga më të mëdhenjtë deri tek të gjithë të tjerët, është se i qëndruan projektit të Europës që s’mund të kuptohet pa Shqipërinë dhe Ballkanin”, – nënvizoi Rama.

Ashtu siç kishte premtuar më herët, Rama tha se pas këtij vendimi pozitiv nuk do të ketë “miting dhe as koncert”. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/