Durrës, 2 qershor 2014 – Teatri Aleksandër Moisiu dhe drejtoria e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Durrësit kanë organizuar një ceremoni me rastin e 80-vjetorit të lindjes të aktorit të njohur durrsak, Lutfi Hoxha. Drejtoresha artistike e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, Anila Varfaj ka përshëndetur të pranishmit dhe deklaroi se figura si Lutfi Hoxha janë kolosë të skenës shqiptare dhe meritojnë plotësisht mirënjohjen për kontributin e çmuar që kanë dhënë për teatrin dhe kinematografinë.
Më pas Varfaj i ka dorëzuar çertifikatën simbolike me çmimin e Gladiatorit të Argjendtë për karrierën që i ka akorduar ky Festival aktorit të madh me motivacionin “Për kontributin e tij artistik në kinemanë shqiptare. Figurat artistike të realizuara prej tij janë të vizatuara mjeshtërisht në lojën aktoriale”.
Për nder të kontributit të tij është vendosur edhe një pllakatë në pallatin e kulturës Aleksandër Moisiu, krahas emrave të skenës botërore që kanë marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Durrës.
Ndërsa drejtori i pallatit të cultures, Bashkim Hoxha u shpreh se artisti i madh vijon të mbetet në teatër duke mbajtur ndezur pasionin dhe ëndrrat e bukura për artin skenik të të rinjve.
Aktori Lutfi Hoxha, në përshëndetjen e tij, deklaroi me shumë emocione se vlerësimi për të është vlerësimi për të gjithë themeluesit e teatrit të Durrësit, ndërsa tha se aktorët e rinj kanë për detyrë të vijojnë traditën e bukur të këtij teatri, i cili ka nxjerrë shumë kolosë nga skena e tij.
Për të pranishmit është shfaqur edhe një dokumentar për karrierën e aktorit që vazhdon të mbetet në skenë edhe pas 60 vjetësh punë me role të spikatura në teatër e kinema.
Mjeshtri i Madh dhe Artisti i Merituar. Lutfi Hoxha është i vetmi nga aktorët themelues të teatrit “Aleksandër Moisiu” që nuk i ndahet skenës dhe ekranit. Lutfi Hoxha është një aktorët me karrierën më të gjatë artistike në Shqipëri, afro 60 vjet ai ka “bashkëjetuar” me 90 role në teatër dhe 17 të tjerë në kinematografi.
Në vitin 2009, me premierën e filmit “Ne dhe Lenini” të regjisorit Saimir Kumbaro, ku luan rolin e një të moshuari në shtëpinë-azil, Lutfi Hoxha theu edhe një rekord tjetër si një nga aktorët me karrierë më të gjatë të kinemasë shqiptare, që nis me filmin “Detyrë e posaçme” në vitin 1956.
Lutfi Hoxha ishte vetëm 18 vjeç, kur bashkë me disa nga artistët më të mirë amatorë të qytetit bregdetar më 11 janar të vitit 1953 i dhanë jetë teatrit më të ri dramatik në vend. Lutfiu kishte intepretuar disa role në grupet amatore të kantierit detar, ndërsa ishte shquar më shumë si kërcimtar me grupin e pallatit të kulturës.
Lutfi Hoxha ka realizuar figura të spikatura në dramaturgjinë kombëtare dhe në atë të huaj. Rolet në pjesët “Votra e huaj” e Ndrek Lucës; “Bileta e llotarisë” e Dionis Bubanit; “Prindër edukatorë” e Spiro Çomorës; “Martesa” e Gogolit; “I sëmuri imagjinar” i Molierit dhe te “Dredhitë e Skapenit” e bënë aktorin durrsak mjaft të dashur për spektatorin e teatrit.
Pas filmit “Detyrë e posaçme”, Lutfi Hoxha luan edhe në filmat “Thirrja”, “Shoku ynë Tili”, “Pylli i lirisë”, “Ilegalët”, “Dollia e dasmës sime”, “Nata e parë e lirisë”, Valsi”, për të mbërritur te filmi “Ne dhe Lenini”. Rolet e karaktereve gjetën te Luti një interpret shumë të aftë, ndërsa kolegët e tij aktorë dhe regjisorë ndjeheshin mirë përkrah djaloshit, që do të thinjej në skenë.
Komedia “Martesa” e Gogolit mbetet në repertorin e teatrit gati dy dhjetëvjeçarë radhazi dhe komedia ngjitet në skenë 270 herë, falë interpretit kryesor Nikolin Xhoja, por edhe falë mjeshtërisë së Lutfi Hoxhës në rolin e Stefanit dhe aktorëve të tjerë pjesëmarrës Vangjel Heba, Vera e Spiro Urumi, Todi Thanasi, Teodor Rupi, etj.
Lutfi Hoxha vazhdon të jetë aktiv dhe energjik dhe thotë se asnjëherë nuk do t’i ndahet skenës. Ai ka mbetur një natyrë e gëzuar, që i pëlqen të qëndrojë me shokë, miq dhe bashkëqytetarë, njëlloj siç i pëlqen të jetë në skenë mes kolegësh artistë dhe përballë spektatorëve që vazhdojnë t’i falin duartrokitje të merituara.
“I falem skenës, vendit ku u rrita dhe që nuk më le të plakem”,– thotë me emocion Lutfi Hoxha, Qytetar Nderi i Durrësit, Mjeshtri i Madh dhe Artisti i Merituar që ka festuar 80 vjetorin e lindjes.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





