·        Nga 120 anije që ka flota në qytetin më të madh bregdetar, 90 për qind e tyre janë drejt degradimit të plotë fizik

DURRËS, 1 qershor 2014 –  Mos-riparimi i pjesës fundore rrezikon mbytjen e anijeve të peshkimit, sikurse ka ndodhur, në det të hapur dhe në bankinat e portit, një grup peshkatarësh ka dhënë alarmin për indiferencën e përgjithshme të të gjitha qeverive ndaj një sektori të rëndësishëm si për punësimin, ashtu dhe për të ardhurat, ku gjenerohen, sipas vlerësimeve zyrtare, deri në 50 milionë euro në vit.

Sipas peshkatarëve, në një deklarim për shtyp, që nga viti 2011, pas shkatërrimit dhe shkrirjes së ish-kantierit detar të Durrësit, u zhduk dhe pajisja e vetme ulëse dhe ngritëse, slipi.

Tashmë ata po po përballen me vështirësi të pakapërcyeshme për riparimin e pjesës fundore të peshkatoreve.

Sipas tyre, anijet prej druri e kanë të domosdoshme hyrjen në kantier një herë në vit, kurse ato prej hekuri një herë në 17 muaj.

Mos-riparimi i pjesës fundore ka shkaktuar dhe mbytjen e peshkatoreve në mes të detit dhe në bankinat e portit.

Nga 120 anije që ka flota, 90 për qind e tyre janë drejt degradimit të plotë fizik. Anijet qëndrojnë gjatë gjithë kohës në ujë dhe janë pa rikonstruksion si pasojë e mungesës së kantierit detar, i cili u shkatërrua për skrap nga kompania Kurum në Durrës.

Vetëm 65 për qind e anijeve në Durrës mund të dalin në det, por në rrezik është jeta e peshkatarëve.

Me gjithë premtimet elektorale të qeverisë së majtë, po ecet në gjurmët e asaj të djathtë, pasi askush nuk po merret me hallet e peshkimit.

Info

Specialistë dhe punëtorët e ish-kantierit detar të Durrësit para viteve 1990 arritën standarde ndërkombëtare në riparim, projektim dhe ndërtim anijesh peshkimi dhe transporti mallrash.

Ishte e natyrshme që punëtorët e kantierit detar të ishin në pararojë të proceseve demokratike jo vetëm në Durrës por në rang kombëtar teksa vunë përpara bllokmenët.

Ata pritën me shpresa të mëdha përmbysjen e diktaturës dhe krijimin në maj 1993 të Kantierit Detar Durrës-Gdansk, sha.

Por edhe polakët dështuan, duke rrudhur më tej kapacitetin e kantierit të Durrësit, që ua shitën, pas 10 vjetësh aksionet turqve të shoqërisë Durrës Kurum Shipping sha që nuk kishin përvojë në industrinë detare.

Gjithçka u shua përfundimisht, në vitin 2011 pasi turqit e kishin mendjen të blinin territor brenda portit, për të fituar një koncesion të dyshimtë për terminal kontejnerësh, duke likuiduar përfundimisht kantierin e riparimit të anijeve.

/th. m. agjencia  lajmeve “Dyrrah”/