Tiranë, 1 qershor 2014 – Një person ka mbetur i vdekur mesditën e sotme në kryeqytet, pas një atentati ndaj tij me armë zjarri. Mësohet se viktima është Viktor Skeja, 47 vjeç. Viktima ishte duke dalë nga automjeti i tij tip Audi, me targa AA 365 EM, kur u qëllua disa herë me armë zjarri.
Sipas policisë, 47 vjeçari Skeja është qëlluar nga disa persona që ishin në automjetin tip “Golf 4”, ngjyrë e zezë, me targa kosovare. Përveç efektivëve të policisë, në vendngjarje ka mbërritur dhe Adrian Cipa, drejtori i Policisë së Tiranës.
47 vjeçari ishte një personazh i njohur për policinë, pasi ndaj Skejës kishte pasur dhe një atentat tjetër, në 13 shtator të vitit 2013 në rrugën “Bardhyl” në kryeqytet. Viktor Skeja kishte qenë në krye të detyrës si Drejtori i CEZ në Laç. Fatmirësisht, Skeja mundi t’i shpëtonte atij atentati, pasi plumbat i kishin kapur vetëm këmbët.
Viktor Skeja ka qenë person me precedent penal dhe i akuzuar për trafik droge. Mësohet se për shkak të përfshirjes së tij në këto konflikte të mundshme, ka ardhur dhe atentati i sotëm.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





