Tiranë, 1 qershor 2014 – Shqipëria ka humbur ndaj Rumanisë dhe ka paguar një gabim në mbrojtje dhe ka pësuar gol në minutën e 83 duke cuar dëm mundin dhe djersën e tërë atyre minutave të mira loje në përgjithësi, por edhe mbështetjen e qindra tifozëve shqiptarë, që e kishin veshur stadiumin e Yverdonit në ngjyrat kuqezi. Trajneri i kombëtares dhe kuqezinjtë kryesorë në lidhje me këtë humbje u shprehën:
 

De Biazi: Vuajtëm problemet fizike
“Në 35 minutat e para luajtëm shumë mirë, më pas paguam disi lodhjen fizike. Në 10 minutat e fundit të pjesës së parë ishte shumë i zoti Berisha, që na shpëtoi. Në pjesën e dytë ndodhi sërish e njëjta gjë, ramë fizikisht dhe nuk kishim më zëvendësime në dispozicion. E vuajtëm freskinë e Rumanisë, që mbetet një skuadër e mire, pasi mos harrojmë që luajti edhe në “play-off” për Botërorin. Sa u përket të rinjve, ndeshje e mirë për Cikalleshin, që ndoshta ishte disi i emocionuar, por që luajti vërtet mirë. E zëvendësova vetëm sepse ishte menduar kështu që më parë, ndërkohë që Vajushi nuk u aktivizua për probleme fizike. Në total luajtëm mirë, por vetëm se vuajtëm fizikisht. Për fat do të kemi dy lojtarë më shumë për Hungarinë, Mavraj dhe Hysa”.

Berisha: Falënderoj tifozët për mbështetjen
“Në 30 minutat e para kemi qenë të qëndrueshëm, por më pas Rumania luajti dicka më mirë. Gjithsesi, jemi një skuadër në ndërtim e sipër dhe them se luajtën mirë disa elementë të rinj, si Cikalleshi që u përpoq shumë, apo edhe Aliti, që debutoi me kombëtaren. Unë shpresoj që tani e mbrapa të kemi më shumë sukses. Falënderoj dhe tifozët, që na mbështetën fuqimisht dhe na bënë të ndihemi si gjithmonë, si në shtëpi”.

Cana: Zhvilluam një lojë të mirë
“Berisha bëri dy-tre pritje vendimtare dhe realisht nuk kishim një kundërshtar të lehtë përballë. Kishim shumë mungesa, por përpos kësaj mendoj se zhvilluam një lojë të mirë. Cikalleshi gjithashtu bëri një provë pozitive dhe ky ishte konfirmimi se një futbollist që bën mirë në kampionatin shqiptar mund të bëjë mirë edhe në kombëtare”.

Lila: Goli aksidental, humbëm një stërvitore 
“Ishte një ndeshje stërvitore, që më shumë sesa për rezultatin, vlen për të parë gjendjen e skuadrës dhe për kualifikimet që vijnë në shtator. Sigurisht që do kishim dashur të bënim më mirë, por ca nga kundërshtari dhe ca nga lodhja nuk arritëm që të shpreheshim si duhet. Kemi vështirësi për të shkuar te porta kundërshtare dhe ndonjëherë nuk kemi fat në krosimet e shumta që bëjmë nga krahët. Goli i pësuar? Janë gjëra që ndodhin në futboll. Ishte një moment pasigurie i gjithë mbrojtjes, por për mua më shumë sesa kjo gjë, duhet parë e ardhmja. Duhet të korrigjojmë gabimet me qëllim që në shtator, në ndeshjet kualifikuese, të jemi sa më të gatshëm për të marrë rezultatet e dëshiruara.”

Kapllani: Na mungoi pasimi i fundit 
“Ishte një ndeshje jo shumë e mirë e skuadrës sonë, ku u vërejtën disa gabime. Në pjesën e parë u mundova të bëj repart me Cikalleshin, por më shumë sesa problemi ynë, ishte fakti se na mungoi pasimi i fundit. Ne si skuadër bëjmë një lojë të mirë deri në gjysmëfushën kundërshtare, por kur vjen puna te pasimi i fundit, aty ngecim. Duhet ta rregullojmë këtë aspekt. Sa i përket të ardhmes në Kombëtare, unë do të mundohem të bëj më të mirën e mundshme me klubin tim dhe, më pas, nëse grumbullohem vazhdimisht nga trajneri, do mundohem të jap maksimumin për këtë skuadër, ashtu sikundër kam bërë gjithnjë. Të shpresojmë që të mund të bëjmë një edicion të mirë kualifikimesh, pavarësisht se jemi në një grup shumë të vështirë.”

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/