Tiranë, 1 qershor 2014 – Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë arrest me burg për 69 vjeçarin Doksan Dushku, i cili tri ditë më parë ekzekutoi me 8 plumba vajzën e tij 21 vjeçare Fatmirën.

Pavarësisht indinjimit të madh që ka shkaktuar tek opinioni publik kjo ngjarje, babai vrasës nuk ka shfaqur asnjë shenje pendese për aktin makabër ndaj fëmijës së tij. Para grupit hetimor ai deklaroi se aktin e kishte kryer për të mbrojtur nderin.

Ngjarja e rëndë, ashtu siç ka marrë përsipër ta paraqesë në fazën paraprake prokurori i çështjes, mësohet se nisi rreth 10 ditë para vrasjes, pasi i moshuari ka shpjeguar se ka arritur ta kuptojë vetë shtatzaninë e të bijës.

Gjithçka që lidhet me një krim të disafishtë në zonën e thellë të Dibrës, duket se është një histori që ka për protagonist një person mjaft të njohur të familjes së Doksan Dushkut. Policia dhe prokuroria presin ADN-në e fëmijës për të shuar të gjitha dyshimet në lidhje me personin që mendohet se është i ati i fëmijës.

Referuar të dhënave të pakta që vijnë nga Dibra bëhet me dije se në fakt dyshimet bien mbi një person të martuar dhe që ishte shumë i afërt me familjen e burrit, që u kthye në vrasës të së bijës në moshën 70 vjeçare.

Ngjarja ndodhi mesnatën e së martës në fshatin Sllatinë të Komunës Sllovë në rrethin e Dibrës. Fillimisht krimi është munduar të fshihet duke u njoftuar si vdekje aksidentale, por uniformat blu kishin marrë sinjale për diçka të pazakontë dhe ndërprenë ceremoninë e varrosjes së 21-vjeçares, Fatmira Dushku për kryerjen e autopsisë.

Mjekësia ligjore gjeti tetë plagë plumbash në trupin e të resë e cila ishte edhe shtatzënë në muajin e pestë. Kjo ka qenë edhe arsyeja e krimit të kryer nga 69-vjeçari Dushku, i shoqëruar 24 orë më pas në komisariat së bashku me djemtë e tij.

Gjatë marrjes në pyetje, babai vrasës ka marrë përsipër gjithë krimin duke shfajësuar djemtë e tij. Ai ka thënë se e ka vrarë vajzën e tij për të mbrojtur nderin, madje nuk ka shprehur as pendesë për aktin e kryer.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/