Itali, 29 maj 2014  – Një shqiptar 44 vjeç, me iniciale Z.A., pronar i një qendre estetike në qendër të qytetit të Riminit, është arrestuar nga karabinierët italianë, pasi sipas policisë së vendit fqinjë ishte furnizuesi kryesor me kokainë i shpërndarësve të vegjël. Shqiptari që jetonte në një apartament të mobiluar dhe kishte marrë me qira 3 makina, ishte mendjemprehtë deri në atë pikë, sa gjithmonë përdorte makina të ndryshme për shitjen e kokainës.

Ndërkohë një tjetër shqiptar 24 vjeç, me iniciale B.A u vu në arrest shtëpie me byrzylykun elektronik, pasi akuzohet si shpërndarës droge.

Bashkë me dy shqiptarët, janë ndaluar edhe dy shtetas italianë. Njëri prej tyre mbeti pas hekurave, pasi drogën e blinte gjithnjë me lekët e prindërve dhe këta të fundit detyroheshin të paguanin borxhet e të birit. Këtë herë ata nuk pranuan t’i paguanin lirinë me kusht, kështu që 32 vjeçari i papunë do të qëndrojë në paraburgim. Ndërsa italiani tjetër nuk ka të drejtë të lëvizë nga shtëpia në orët e natës.   

Arrestimet e 4 personave të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme u realizuan në kuadër të operacionit të koduar “Alba (Agimi)”.  Dy vitet e fundit, policia kishte vëzhguar nga afër klientet e rregullta të shqiptarit. Ndër këto spikaste një grua, që gjatë pesë muajve kishte blerë të paktën 500 gramë kokainë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/