·        Në Gjepalaj ka filluar të kultivohet edhe rukola, perime e nevojshme por tejet e shtrenjtë për xhepin e popullsisë masive

DURRËS, 29 maj 2014 –  Edhe pse një zonë e fuqishme industriale, por në saj edhe të një sipërfaqeje të madhe fushore dhe kushteve klimaterike të favorshme, qarku i Durrësit ka një potencial për të prodhuar 36 795 kv perime në vit gjithsej, nga të cilat 3 700 kv për eksport, thonë burimet zyrtare, duke ndikuar në çmimin më të ulët mesatar me pakicë, në raport me qytetet e tjera të vendit.

Komuna e Xhafzotajt jep 15 700 kv ose 42,66 për qind të totalit të perimeve në shkallë qarku.

Perimtaria është një traditë e Durrësit që ka qenë një nga furnitorët kryesorë të eksporteve të gjelbra shqiptare para viteve 1990, ku u investua në serra dhe në sistemin ujitës dhe bonifikim.

Aktualisht fermerët durrsakë mbushin tregun e qytetit bregdetar, si dhe lokalet dhe njësitë turistike me perime të freskëta.

Ndërkaq bie në sy njëfarë shpërpjestimi, ku domatet zënë 60.1 për qind të totalit të perimeve me 22 131 kv.; prodhohen gjithashtu dhe 4 505 kv trangull, 3 850 kv shalqi, 2 023 kv speca etj.

Në evidencat e bujqësisë ka filluar të shfaqet edhe rukola (latinisht eruca vesicaria) me 15 kv në komunën e Gjepalajt, një perime e re që ka filluar të përdoret vitet e fundit në restorantet me kuzhinë italiane, por që shitet edhe në treg; por për shkak të çmimit të lartë njeh një përdorim të ulët për një popullsi të varfër.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/