Durrës, 29 maj 2014 – Shpërthimi i telekomanduar për shembjen e pallatit 9-katësh tek Shkëmbi i Kavajës rezultoi i suksesshëm, pasi e gjithë struktura arriti të rrëzohet përdhe. Në orën 15.00 u dha sinjali për hedhjen në erë të pallatit. Pas shtypjes së butonit një re e madhe pluhuri mbuloi të gjithë zonën për disa minuta. Pas shpërndarjes së pluhurit të zi u pa se shembja ishte realizuar e plotë.
Por ato që mbetën të dëmtuar nga shembja e tij, ishin një sërë biznesesh rreth e rrotull 9-katëshit, të cilëve ju shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale prej forcës së shpërthimit.
Një hotel 5 katësh, afër pallatit të ngritur pa leje, është një nga më të dëmtuarit, pasi e gjithë fasada e xhamit është dëmtuar rëndë dhe ka nevojë për një investim të ri prej disa milion lekë.
Pronarët e bizneseve të dëmtuara kërkojnë dëmshpërblim për dëmin që iu është shkaktuar, pasi e kanë të pamundur të investojnë edhe njëherë shuma të konsiderueshme për të risjellë pronën e tyre në gjendjen e mëparshme.
Fakti që sezoni veror sapo ka nisur i penalizon edhe më tepër këtë biznese, pasi nuk mund të presin turistë në kushtet e tanishme. Rreth e përqark pallatit të shembur janë krijuar pirgje disa metra të lartë me mbetje inerte që pritet të largohen në ditët në vijim.
Pronarët e bizneseve kërkojnë largimin një orë e më parë të inerteve dhe shkatërrimin e plotë të pallatit të shembur, pasi imazhi që ai ofron është shumë larg asaj që turistët vendas dhe të huaj presin nga një zonë turistike.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





